Ndërlidhjet

logo-print

Pakistani ashpërson masat anti-terror, përmes celularëve

  • RFE /RL

Nëse dëshironi të përdorni një telefon celular në Pakistan, duhet të jepni emrin, numrin e telefonit dhe shenjat e gishtërinjëve.

Për shkak të parandalimit të terrorizmit, qeveria ka lansuar një mekanizëm masiv të identifikimit të çdo përdoruesi të celuarëve, në shtetin prej 180 milionë banorësh.

Shenjat e gishtërinjëve do të kontrollohen në databazën kombëtare, me qëllim të kontrollit të ashpërsuar të telefonëve celularë dhe parandalimin e përdorimit të tyre në sulme terroriste.

Që nga publikimi i këtij mekanizmi, më herët këtë vit, miliona pakistanezë kanë pritur në radhët e dyqaneve të telefonave, për t’i dhënë shenjat e gishtërinjëve dhe për të verifikuar identitetin e tyre.

Nëse shenjat e gishtërinjëve përputhen me databazën, ata mund ta mbajnë kartelën identifikuese të numrit të telefonit.

Nëse jo, ose nëse nuk paraqiten për verifikim, shërbimi i tyre i telefonit mobil do të shkëputet. Banorët e tjerë, duke përfshirë edhe 2 milionë refugjatë afganë, që nuk janë shtetas të vendit, duhet të marrin një dokument nga gjykata që deklaron se nuk do të keqpërdorin celularët.

Autoriteti i Telekomunikimit në Pakistan (PTA), kishte lëshuar një komunikatë më 5 mars, duke thënë se më shumë se 72 milionë kartela të telefonit janë verifikuar. Janë më shumë se 103 milion kartela që përdoren në Pakistan. Afati i fundit për verifikim është më 14 prill.

Reagimi ndaj “vandalizmit”

Iniciativa është pritur me reagime të ndryshme nga pakistanezët. Disa janë ankuar për burokracinë e përfshirë, ndërsa të tjerët bien dakord se këto masa mund të ndihmojnë për kontrollimin e abuzimit nga ana e kriminelëve dhe terroristëve.

“Ky është një hap i mbarë, për shkak se kartelat janë përdorur për shumë gjëra të këqija në të kaluarën”, ka thënë Muhammadi Shahn, banor i Bajaurit.

“Tani, regjistrimi do të ndihmojë për ndalimin e keqpërdorimeve”.

Suleman, banor i Peshawarit, është i kënaqur me rregullin e ri.

Disa njerëz [ilegalisht] kanë regjistruar nga tre kartela në emrin tim. Unë kam shkuar në zyrat përgjegjëse dhe i kam bllokuar, dhe pastaj i kam regjistruar në emrin tim të verfikuara”.

Qeveria pakistaneze ka lansuar këtë iniciativë, menjëherë pas sulmit taleban në një shkollë në Peshawar, në dhjetor, ku u vranë 150 njerëz, shumica e tyre nxënës të shkollës.

Ky sulm i papritur kishte shokuar vendin, duke bërë që qeveria të vendos masa të rrepta, duke përfshirë intensifikimin e ofensivës së ushtrisë kundër militantëve, futjen e gjykatave ushtarake në rastet e lidhura me dyshime për terrorizëm dhe rritjen e monitorimit financiar për ta bërë më të vështirë transferimin e parave nga militantët.

Ministri i Brendshëm, Chaudhry Nisar Ali Khan, tha për ligjvënësit muajin e kaluar që verifikimet duhet të rezultojnë me “humbjen e një arme të madhe” për terroristët.

Autoritetet kanë thënë se verifikimet mund të ndihmojnë në kapjen e keqpërdoruesve të telefonave mobil, që kanë kryer krime. Shumë kriminelë dhe terroristë besohet se kanë përdorur kartelat me identitet të rrejshëm. Po ashtu, telefonët janë përdorur edhe për eksplozive.

Ndjekja e “gjurmëve”

Kompanitë e telefonëve mobil, kanë punuar me qeverinë për instalimin e skanuesit të shenjave të gishtërinjëve, përgjatë gjithë vendit, dhe lansimin e fushatave për vetëdijësimin e njerëzve.

Por, jo të gjithë njerëzit janë bindur.

“Pakistani duhet të zhvillojë sistemin e sigurisë, në vend se t’ju krijojë problem njërëzve”, tha Arshad, banor I zonës Charscada.

“A ka ndonjë masë të sigurisë për parandalimin e terrorizmit? Cili është shërbimi i agjencive të intelegjencës, që marrin para të mëdha dhe nuk mund të gjejnë një kriminel, një person që mban bombë?"

Arshad tha se kriminelët dhe terroristët gjithmonë gjejnë mënyra të reja për të mashtruar sistemin dhe të marrin kartela të telefonit.

“Janë 5 kartela në emrin tim. Katër janë të mijat, ndërsa për të pestën nuk e di”, tha Azeem, një banor tjetër i Peshawarit.

“Kam provuar disa herë të regjistroj edhe atë numër, por gjithmonë më vjen një mesazh në telefon që thotë se nuk mund të regjistrohet. Kam qenë në zyrat përgjegjëse, kam pritur me orë të tëra, dhe jam kthyer pa kryer punë. Nganjëherë ata thonë se sistemi është i ngakuar”.

Vitin e kaluar, qeveria kishte prezantuar makinerinë biometrike që është krijuar për kontrollimin e identitetit të përdoruesve të celularëve, duke kërkuar nga të gjithë të marrin kartela të reja. Por, pas sulmit në Peshawar, qeveria tani kontrollon të gjithë përdoruesit.

Autoritetet kanë thënë se dy nga kartelat që u gjetën në “skenarin e sulmit në Peshawar”, ishin të dy banorëve të provincës Punjab, të cilët nuk kishin asnjë lidhje me militantët.

Përgatiti: Flandra Marmullaku
XS
SM
MD
LG