Ndërlidhjet

Republikanët u shkruajnë iranianëve, Obama e vlerëson si "ironi"


Një grup prej 47 senatorësh republikanë kanë tërhequr vërejtjen se çfarëdo marrëveshje atomike ndërmjet administratës së presidentit, Barack Obama, dhe Iranit, mund të jetë jetëshkurtër, derisa të mos e ketë miratimin në Kongresin amerikan.

Shtëpia e Bardhë dhe ministri i Jashtëm iranian, i kanë kritikuar senatorët për këtë letër të pazakonshme, për të cilën zyrtarët e Shteteve të Bashkuara thonë se mund t’i shkatërrojë negociatat e ashpra ndërmjet gjashtë fuqive botërore dhe Teheranit, disa javë para afatit për arritjen e marrëveshjes madhore për programin bërthamor iranian.

Në një letër të hapur për liderët iranianë, senatori Tom Cotton, dhe 46 republikanë të tjerë, thonë se pa miratim të tillë, çfarëdo dokumenti do të jetë vetëm marrëveshje ndërmjet Obamës dhe liderit suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei.

Në letër, pos tjerash, thuhet se “presidenti i ardhshëm mund ta tërheq një marrëveshje të tillë ekzekutive me një lëvizje lapsi, ndërsa Kongresi i ardhshëm mund të modifikojë pjesë të kushteve të marrëveshjes në çdo kohë”.

Republikanët dhe disa demokratë dëshirojnë që në Kongres të Shteteve të Bashkuara, të votohet për çfarëdo marrëveshje.

Shtëpia e Bardhë i ka dënuar përpjekjet nga ligjëvënësit, duke i cilësuar veprimet e tyre si “hedhje e rërës në dhëmbëzorë” lidhur me bisedat për programin atomik të Iranit.

Presidenti Barack Obama, u tha reporterëve në Uashington, se ky veprim i duket si diçka “ironike”.

“Mendoj se është disi ironike për t’i parë disa anëtarë të Kongresit, që dëshirojnë të krijojnë çështje të përbashkët me pjesëtarët e linjës së fortë në Iran. Ky është një koalicion i pazakonshëm. Mendoj se ajo ku ne do të fokusohemi tash është të shohim nëse mund ta kemi marrëveshjen apo jo".

"Atëherë kur ta kemi, nëse do ta kemi, ne do të jemi në gjendje ta shtrojmë çështjen para popullit amerikan dhe unë besoj se do të jemi në gjendje ta implementojmë”, tha presidenti, Barack Obama.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, këtë letër e ka cilësuar si “vazhdim të strategjisë njëpartiake” për ta shkatërruar strategjinë e politikës së jashtme të zotit Obama.

Ai tha se letra “sigurisht ndërhynë” në përpjekjet për të arritur marrëveshje me Iranin nëpërmes negociatave.

Senatori John McCain, është njëri nga ata, që e kanë nënshkruar letrën e senatorëve republikanë.

“A nuk është atje një reagim i tepruar i Shtëpisë së Bardhë histerike, e cila është e shqetësuar për faktin se Kongresi mund ta luaj rolin e tij kushtetues të këshillës dhe pëlqimit”, tha John McCain.

Senatorja republikane, Susan Collins, e cila nuk e ka nëshkruar letrën, ka theksuar:

“Në këtë pikë në negociata, mendoj se më tepër përkatëse për anëtarët e Senatit do të ishte që këshillat tona t’i drejtojmë kah presidenti, sekretari Kerry, dhe te negociatorët”, tha Susan Collins.

Senatori demokrat, Richard Durbin, tha se letra paraqet “përpjekje cinike” për t’i shkatërruar negociatat e ndjeshme ndërkombëtare.

Ministri i jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif, e ka hedhur poshtë letrën, duke e vlerësuar si “manovrim propagandues” dhe ka theksuar se nëse “administrata e ardhshme e anulon çfarëdo marrëveshje me lëvizje të lapsit atëherë, thjesht, do të kryente shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare”.

Shtetet e Bashkuara dhe pesë fuqitë e tjera botërore, synojnë marrëveshje me të cilën Irani do të parandalohej nga prodhimi i armatimit atomik, në këmbim për lehtësimin e sanksioneve ndërkombëtare.

Të dy palët e kanë përcaktuar 31 marsin si afat për arritjen e kornizës politike, ndërsa 30 qershorin, për afatin përfundimtar për arritjen e marrëveshjes së plotë.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG