Ndërlidhjet

Punësim simbolik i personave të verbër


Në Kosovë jetojnë rreth 4 mijë persona të verbër, ndërsa vetëm një për qind e tyre janë të punësuar.

Kështu ka deklaruar Daut Tishuki, drejtor i Qendrës së Ofrimit të Shërbimeve në Shoqatën e të Verbërve të Kosovës.

Por, sipas tij, së fundmi Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka ndarë mjete financiare për aftësimin e personave të verbër.

"Këtë vit, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka ndarë një donacion që zbutë papunësinë e personave të verbër. Janë përfshirë disa aftësime profesionale, ku i kemi implikuar 27 trajnerë".

"Personat e verbër, janë aftësuar në tri fusha për ofrimin e shërbimeve, në fushën e IT-së për të verbër, si dhe janë aftësuar në mësimin e shkrim-leximit e alfabetit të Braillit dhe në fushën e orientimit dhe mobilitetit".

Asllan Canolli, është njëri nga personat e verbër që është duke i ndjekur trajnimet, që më pas të mund të gjejë një vend pune.

"Për çdo person, një vend pune është i rëndësishëm, por për ne si persona me aftësi të kufizuar, e që jemi edhe mbajtës të familjes është më se i nevojshëm. Ne, një pjesë e madhe e anëtarëve të verbër, jemi duke i ndjekur trajnimet përmes Ministrisë së Punës, që ka të bëjë me përgatitjen për të gjetur një vend pune. Por, siç po shihet, shumë pak ka gjasa që ne të punësohemi në një të ardhme të afërt".

Ndërkaq Mexhit Foniqi, kryetar i Shoqatës së të Verbërve të Kosovës, ka bërë të ditur se institutcionet e vendit duhet të krijojnë mekanizma adekuat që ta ndihmojnë komunitetin e të verbërve.

"Gjendja e personave të verbër në fushën e punësimit është jashtëzakonisht e rëndë. Edhe ligji për aftësime profesionale dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuara, që është neni i 12-të i këtij ligji, nuk zbatohet dhe asnjëherë nuk është zbatuar. Punësimi i personave të verbër është tejet i vogël", ka shtuar Foniqi.

Sidoqoftë, sipas zotit Foniqi, mbështetja institucionale është e domosdoshme në mënyrë që personat e verbër të mund të jenë pjesë e barabartë e shoqërisë.

XS
SM
MD
LG