Ndërlidhjet

Ekonomia në Maqedoni, në gjendje të rëndë


Gjendja ekonomike në Maqedoni nuk pasqyrohet realisht nga drejtuesit e institucioneve të cilët vite me radhë kanë mashtruar opinionin për gjoja zhvillim ekonomik të vendit, investime të huaja dhe mirëqenie të qytetarëve, si rezultat i siç thonë, politikave ekonomike të qeverisë aktuale.

Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve ekonomike duke komentuar bisedat e përgjuara telefonike mes zyrtarëve të cilat po publikohen në vazhdimësi nga kryetari i Lidhjes-socialdemokrate të opozitës, Zoran Zaev.

Ish guvernatori i Bankës Popullore, Petar Goshev, thotë se gjendja ekonomike është shumë e rëndë si pasojë e politikave katastrofale të qeverisë dhe harxhimeve pa kriter të parave buxhetore, në veçanti, për përmendore në kuadër të projektit “Shkupi 2014“ dhe projekte tjera joproduktive që kanë zhytur vendin në miliarda euro borxhe në institucionet ndërkombëtare financiare.

Goshev thotë se edhe Ministri i Financave, Zoran Stavreski është i vetëdijshëm për gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet vend.

“Është e qartë se ministri i financave gjithë këtë e dinë, megjithatë ai është pakurrizor, nuk ka fije të moralit pasi më shumë e dëshiron funksionin se sa nderin e tij dhe të familjes“, thotë Goshev.

Ndryshe, në bisedat e publikuar, Ministri Zoran Stavreski, i cili njëkohësisht është edhe zëvendëskryeministër për çështje të financave, pranon gjendjen e rëndë dhe pajtohet me vlerësimet e ekspertëve, por edhe të opozitës se Maqedonia po fundoset si pasojë e politikave të gabuara dhe harxhimit të parave për gjëra koti.

“Ne jemi të çmendur, kjo që po bëjmë nuk është normale. Asnjë shtet nuk do ta bënte këtë që ne po bëjmë. Po shpenzojmë para për gjëra koti. Sikur të ishim edhe si Amerika, nuk do ta përballonim një gjendje të këtillë“, kështu i ka thënë Stavreski, ministres së Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, në një nga bisedat telefonike të përgjuara nga sigurimi i shtetit e të cilat ka arritur t'i sigurojë opozita maqedonase.

Seadin Xhaferi, profesor i ekonomisë në Universitetin Shtetëror të Tetovës thotë propaganda ka qenë parësore për qeverinë aktuale në planin ekonomik pasi thuajse asgjë nuk është realizuar nga ajo që ishte premtuar.

“Gjithë ajo ka qenë një trumbetim i rrem për realizimin e platformave të shumë proklamuara në opinion dhe unë kujtoj se ato më tepër kishin të bënim me vet lëvdata se sa me realitete nga shkaku se opinioni nuk është fare duke i parë gjithë ato projekte të proklamuara. Në bazë të analizave të bëra rezulton se ne futemi ende më shumë në detyrime të reja, në borxhe të reja se sa që kemi ndonjë zhvillim të mirëfilltë ekonomik edhe atë në të gjithë segmentet e funksionimit të shtetit“, thotë Xhaferi.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, borxhi i jashtëm i Maqedonisë deri në fund të vitit të kaluar ka arritur në 3.3 miliardë euro apo në rreth 38 për qind të prodhimit të brendshëm bruto, por ekspertët vlerësojnë se borxhi është më i lartë ndërsa të gjithë këto para sipas tyre janë harxhuar për propagandë dhe projekte joproduktive të cilat edhe më shumë e dëmtojnë ekonominë vendase.

XS
SM
MD
LG