Ndërlidhjet

“Millosheviqi” në rishqyrtim, “Mihajlloviqi” klandestin


Ranillug -- Rruga e propozuar të emërohet "Sllobodan Millosheviq".

Ranillug -- Rruga e propozuar të emërohet "Sllobodan Millosheviq".

Tabela me emërtimin "Sllobodan Millosheviq" për njërën nga rrugët e komunës së Ranillugut, nuk qëndron në rrugën për të cilën ishte miratuar ky emërtim nga Kuvendi i Komunës së Ranillugut.

Kjo për faktin se miratimi dhe vendimi i Kuvendit të Komunës së Ranillugut nuk kishte hyrë në fuqi, për shkak se kryetari i kësaj komune, Gradimir Mikiq, listën me emërtimet për rrugët në këtë komunë, e ka kthyer për rishqyrtim në kuvendin e kësaj komune, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë, Sasha Alleksiq, kryetar i kuvendit të Komunës së Ranillugut.

"Ai vendim është kthyer në shqyrtim të sërishëm dhe Kuvendi do ta shqyrtojë atë në fund të këtij muaji", tha Alleksiq.

Ai ka shtuar se nuk është në dijeni se kush i ka porositur dhe kush i ka shtypur tabelat, në mesin e të cilave ka qenë edhe ajo me emrin e Sllobodan Millosheviqit.

Millosheviq ishte akuzuar nga Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit për rolin e tij gjatë luftës në Kosovë, Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë gjatë viteve të 90-a.

Ai u gjet i vdekur në qendrën e paraburgimit në gjykatën e Hagës më 11 mars të vitit 2006.

Në anën tjetër, në fshatin Rropotovë të komunës së Ranillugut, pranë shtëpisë së kryetarit të komunës së Ranillugut, Gradimir Mikiq, është vendosur një tabelë me mbishkrimin "Rruga: Gjenerali Drazha Mihajlloviq".

Tabela në rrugën që mban emrin "Drazha Mihajlloviq"

Tabela në rrugën që mban emrin "Drazha Mihajlloviq"

Dragoljub "Drazha" Mihajlloviq, ka qenë organizator dhe ideolog i lëvizjes Çetnike gjatë luftës së Dytë Botërore. Regjimi komunist i ish-Jugosllavisë, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore e akuzoi dhe dënoi Mihajlloviqin për bashkëpunim me nazistët dhe për kryerje operacione të spastrimit etnik ndaj popullsisë jo serbe në ish-Jugosllavi nga ana e njësive çetnike.

Në vitin 1946 ai u ekzekutua në Beograd. Viteve të fundit, në Serbi ka pasur tendenca për rehabilitimin e figurës së Drazha Mihajlloviqit.

Lidhur me atë se kush e ka vendosur këtë tabelë dhe kush e ka emërtuar këtë rrugë me emrin e ideologut çetnik, Alleksiq thotë se nuk ka njohuri për këtë:

“Sot, gjithkush mundet të shkojë në cilëndo shtypshkronjë, të shtyp çfarë t’i dojë qejfi dhe ta vendosë aty ku ka dëshirë. Unë vetëm mund të them se vendimi për emërtimin e rrugëve do të sillet për shqyrtim sërish në Kuvend, në fund të muajit”, theksoi Alleksiq.

Megjithatë, ai nuk dha përgjigje nëse emri i Mihajlloviqit ishte në listën e miratuar më parë nga Kuvendi i komunës për emërtimin e rrugëve.

Ai përsëriti se emërtimet e rrugëve do të bëhen sipas vullnetit të qytetarëve të komunës së Ranillugut.

A është vullneti i qytetarëve të kësaj komune emërtimi i rrugëve me emrat e Sllobodan Millosheviqit dhe Drazha Mihajlloviqit?

Stanko Gjokiq, një qytetar i moshuar nga komuna e Ranillugut tha se nuk e dinte se kush kishte vendosur për emërtimet, e as për tabelën me emrin e Mihajloviqit.

“Nuk e di unë. Megjithatë, më pëlqen, sikur të kishte secila rrugë tabelat dhe jo vetëm një”, tha Gjokiq.

Një qytetar tjetër nga Ranillugu, i cili nuk deshi të identifikohej, tha se emërtime e caktuara të rrugëve, nuk duhet të shndërrohen në problem.

“Nuk më intereson për rrugët. Sikur rruga ta kishte edhe emrin e presidentit Rugova, nuk do të ishte problem, e as për Millosheviqin”, tha qytetari serb.

Edhe një bashkëqytetar i tij, i cili po ashtu nuk deshi të identifikohej, tha se për emërtimi i rrugëve është bërë në mënyrë ligjore.

“Këtë e ka miratuar Kuvendi i komunës së Ranillugut. Gjithçka është në rregull. Ky është vullneti i qytetarëve dhe nuk është me rëndësi se si quhet cilado rrugë”, tha qytetari serb.

Ivan Arsiq, po ashtu nga komuna e Ranillugut, vlerëson se emrat e historisë së vonshme, të cilët kontestohen nga cilido komunitet, nuk është mirë të vendosen si emërtime rrugësh..

“Nuk do të duhej fare të vendosen për rrugë emrat e aktorëve të cilët kanë qenë para 15 apo 20 vjetëve. Duhet pritur të kaloj edhe një kohë e caktuar dhe historia do të tregojë për ta. Por, nëse Kuvendi Komunal ka vendosur ashtu, atëherë, atë kuvend e kanë zgjedhur qytetarët dhe ai duhet ta zbatojë vullneti i popullit”, tha Arsiq.

Por, çfarë do të ndodhë në qoftë se shumica e këshilltarëve të Kuvendit të komunë së Ranillugut, edhe në shqyrtimin e sërishëm vendos që ta emërtojë një rrugë me emrin e Sllobodan Millosheviqit, në emër të zbatimit të vullnetit të qytetarëve?

Komuna e Ranillugut

Komuna e Ranillugut

Alleksiq jep ketë përgjigje:

“Unë jam në shërbim të ligjit dhe të zbatimit të ligjit të Kuvendit që përfaqësoj. Unë jam zgjedhur nga ana e popullit dhe jam zgjedhur nga ana e këshilltarëve komunal në pozitën e kryetarit të kuvendit. Unë jam vetëm njëri nga 15 këshilltarët e barabartë të këtij kuvendi. Prandaj, vendimi i shumicës do të jetë përfundimtar”, tha Alleksiq.

Komuna e Ranillugut është krijuar gjatë procesit të decentralizimit të pushtetit qendror, të paraparë me planin e Marti Ahtisaarit, në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës.

Kjo komunë, aktualisht udhëhiqet nga përfaqësuesit e Listës Serbe.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG