Ndërlidhjet

logo-print

Maqedoni, opozita kërkon qeveri kalimtare


Lideri i opozitës në Maqedoni, Zoran Zaev

Lideri i opozitës në Maqedoni, Zoran Zaev

Lidhja Social Demokrate e opozitës në Maqedoni (LSDM) edhe zyrtarisht kërkoi dorëheqjen e kryeministrit, Nikolla Gruevski dhe formimin e një qeverie kalimtare për nxjerrjen e vendit nga, siç shprehen, "kriza e thellë politike, në të cilën e ka futur pushteti aktual me veprime të shumta kriminale".

Lideri i opozitës, Zoran Zaev tha se qeveria kalimtare do të kishte për detyrë sigurmin e kushteve të domosdoshme për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike.

Kërkesën e këtillë LSDM-ja e bëri të ditur mbrëmë vonë pas publikimit të atyre që ajo i quan "dëshmi të reja për falsifikimin e zgjedhjeve që nga viti 2011 e këndej".

Janë publikuar dhjetëra biseda që thuhet të jenë bërë mes ministrave të qeverisë së Gruevskit se "si organizojnë falisfikimin e zgjedhjeve përmes shantazheve e kërcënimeve nga më të ndryshme, ndaj punonjësve të administratës e qytetarëve të thjeshtë për të votuar VMRO-DPMNE-në".

Opozita thotë se ka edhe dëshmi se si persona të tjerë kanë votuar për njerëz të vdekur, se si organizohen votime në grupe apo se si sillen maqedonas, madje edhe nga Shqipëria për të votuar për pushtetin aktual.

“Obligim i qeverisë kalimtare do të jetë sigurimi i plotë i ndarjes së partive qeverisëse nga institucionet të cilat janë tashmë të okupuara, depolitizimi dhe departizimi i plotë i tyre. Në qeverinë e re kalimtare nuk do të ketë vend për persona për të cilat ezkistojnë dyshime apo dëshmi për pjesëmarrje në veprimtaritë kriminale. Paralelisht me këtë process do të duhej urgjentisht të nis hetimi transparent për skandalin e përgjimeve me përfshirjen e bashkësisë ndërkombëtare”, ka deklaruar lideri i LSDM-së Zoran Zaev i bindur se gjithçka që është publikuar gjatë tetë konferencave për mediat është e vërtetë dhe se opinioni sipas tij është i njoftuar se kush udhëheq me shtetin.

Zaev ka publikuar edhe dy biseda të përgjuara të Kryetarit të PDSH-së, Menduh Thaçi dhe të Zëvendeskryemistrit, Musa Xhaferi nga BDI-ja se si "merren vesh me drejtorin e Drejtorisë për Zbulim dhe Kundërzbulim, Sasho Mijallkov për prishjen e zgjedhjeve në një qytet dhe caktimin e anëtarëve të Gjykatës Administrative në Shkup".

XS
SM
MD
LG