Ndërlidhjet

Maqedoni: Opozita kërkon qeveri kalimtare


Lidhja Social-Demokrate e opozitës në Maqedoni, kërkon dorëheqjen e kryeministrit, Nikolla Gruevski dhe formimin e një qeverie kalimtare për nxjerrjen e vendit, nga siç thekson, "kriza e thellë politike, në të cilën e ka futur pushteti aktual me veprime të shumta kriminale".

Lideri i opozitës, Zoran Zaev, tha se qeveria kalimtare do të kishte për detyrë sigurimin e kushteteve të domosdoshme për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike.

Këtë kërkesë, LSDM-ja e bëri të ditur të martën vonë pas publikimit të atyre që ajo i cilëson si "dëshmi të reja për falsifikimin e zgjedhjeve që nga viti 2011 e këndej".

Janë publikuar dhjetëra biseda që thuhet të jenë bërë mes ministrave të qeverisë së Gruevskit, se si organizojnë falisfikimin e zgjedhjeve përmes shantazheve e kërcënimeve nga më të ndryshme ndaj punonjësve të administratës, e qytetarëve të thjeshtë për të votuar VMRO-DPMNE-në.

Opozita thotë se ka edhe dëshmi se "si persona të tjerë kanë votuar për njerëz të vdekur, se si organizohen votime në grupe, apo se si sillen maqedonasit, madje edhe nga Shqipëria për të votuar për pushtetin aktual".

Po ashtu, janë publikuar edhe biseda, në të cilat thuhet se janë zëra zyrtarësh që kërcënojnë të gjithë ata që i kundërvihen pushtetit aktual apo që hetizojnë të votojnë VMRO-DPME-në.

“Obligim i qeverisë kalimtare do të jetë sigurimi i plotë i ndarjes së partive qeverisëse nga institucionet, të cilat janë tashmë të okupuara, depolitizimi dhe departizimi i plotë i tyre. Në qeverinë e re kalimtare, nuk do të ketë vend për persona për të cilët ekzistojnë dyshime, apo dëshmi për pjesëmarrje në veprimtaritë kriminale".

"Paralelisht, me këtë proces, do të duhej urgjentisht të nis hetimi transparent për skandalin e përgjimeve me përfshirjen e bashkësisë ndërkombëtare. Maqedonisë duhet ti kthehet liria dhe demokracia”, ka deklaruar lideri i LSDM-së Zoran Zaev.

“Nga shkronja e parë e deri tek e fundit, çdo fjali e shkruar, çdo bisedë e publikuar është e vërtetë, që nga fillimi e deri në fund. Gruevski dhe Mijallkov kanë rrënuar rregullimin kushtetutues të Maqedonisë, kanë krijuar shtet paralel nën udhëheqjen tyre, me polici, prokurori, e gjyqësi që janë nën urdhërat e tyre”, ka deklaruar Zaev, duke porositur pushtetin që të mos mendojë, siç është shprehur, "për destabilizimin e vendit apo për trazira, pasi do të përballet me rezistencë të fuqishme".

Zaev ka publikuar edhe dy biseda, në të cilin dëgjohet zëri i kryetarit të Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi dhe atij të të zëvendëskryemistrit, Musa Xhaferi nga Bashkimi Demokratik për Integrim, duke u marrë vesh, siç thuhet, me drejtorin e Drejtorisë për Zbulim dhe Kundërzbulim, Sasho Mijallkov, "për prishjen e zgjedhjeve në një qytet dhe caktimin e anëtarëve të Gjykatës Administrative në Shkup, për të ndikuar po ashtu në një rezultat tjetër zgjedhor".

Zaev me këtë rast ka kërkuar dorëheqjen edhe të prokurorit publik dhe të drejtuesve të Radio Televizionit Shtetëror, me premtimin se servisi publik asnjëherë më nuk do të jetë në shërbim të partive politike, por të qytetarëve, ashtu siç parashihet me ligj.

Lidhur me pretendimet e opozitës dhe kërkesën për qeveri kalimtare, VMRO-DPMNE-ja e kryeministrit Nikolla Gruevski, ka reaguar përmes një komunikate duke e akuzuar për "shantazh dhe tentim për rrënimin e rendit kushtetues dhe qeverinë e votuar në zgjedhje të lira dhe demokratike", siç thuhet në reagim.

“Zoran Zaev dhe bashkëpunëtorët e tij, dëshmuan se dëshirojnë ta mbajnë shtetin me shantazhe, biseda të montuara e zëra të ndryshuar. LSDM-ja nuk është asgjë tjetër, pos shërbëtore e skenarit që ka për qëllim destabilizimin e Maqedonisë, të shkaktojë grindje dhe konflikte mes maqedonasve dhe të gjithë qytetarëve tjerë që jetojnë në këtë shtet“, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.

XS
SM
MD
LG