Ndërlidhjet

Lista Serbe nuk kthehet në institucionet e Kosovës

  • RFE /RL

Qeveria e Kosovës, ilustrim

Qeveria e Kosovës, ilustrim

Përfaqësuesit e Listës Serbe nuk do të kthehen në institucionet e Kosovës përderisa nuk zbatohen elementet e marrëveshjes së aritur mbi koalicionin bashkëqeverisës, ka deklaruar në Beograd, Marko Gjuriq, drejtor i zyrës për Kosovën në kuadër të qeverisë serbe.

Agjencitë serbe të lajmeve njoftojnë se këto komente Gjuriq i ka bërë pasi ka zhvilluar një takim sot në Beograd me përfaqësuesit e komunitetit serb në Kosovë, e në të cilin takim ka marrë pjesë edhe kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Gjuriq ka thënë se në javën që vjen do të mbahet një “takim emergjent me të gjithë përfaqësuesit e të gjitha komunave të banuara me serbë”, e në të cilin takim do të shqyrtohen, siç u tha, hapat e mëtejmë pas përjashtimit të ministrit Aleksandar Jabllanoviq nga qeveria e Kosovës dhe “poshtërimit politik të popullit serb”.

“Ne nuk kemi hyrë në qeveri për të qenë folklor, apo ikebanë, dhe as që do të marrim pjesë në të, për aq kohë sa dikush mund të mendojë se duhet të jemi vetëm dekor”, ka thënë Gjuriq, duke shtuar se këtë qëndrim e ndajnë edhe përfaqësuesit serbë, e të cilët kanë marrë mbështetjen e zotit Vuçiq.

Ministri i shkarkuar ndërkaq, Aleksandar Jabllanoviq, u ka thënë gazetarëve se pas takimit të sotëm s’ka asnjë dyshim se Lista Serbe "nuk do të marrë pjesë në asnjë farsë politike”.

Largimi i Jabllanoviqit nga qeveria ka pasuar protestat dhe trysninë e fuqishme të opozitës për shkak të një deklarate që Jabllanoviq kishte bërë më 6 janar.

Ai i kishte cilësuar si "egërsira" protestuesit në Gjakovë, të cilët po përpiqeshin të pengonin disa pelegrinë serbë që të vizitojnë Gjakovën me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse. (a.v.)

XS
SM
MD
LG