Ndërlidhjet

Pushimet tatimore për bizneset që investojnë një shumë të konsiderueshme dhe gjenerojnë vende të reja të punës në Kosovë, duhet të hynë në fuqi urgjentisht, thonë përfaqësues të bizneseve në Kosovë.

Sipas tyre, pushimet në taksa janë lehtësira që vendet e rajonit kanë filluar të aplikojnë kohë më parë dhe kjo ka bërë që këto vende të jenë më tërheqëse për investitorët ndërkombëtarë.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se hyrja e në fuqi e këtyre pushimeve tatimore, ka qenë kërkesë e vazhdueshme e tyre gjatë viteve të fundit.

“Këto lehtësira jo që janë të mirëseardhura, por natyrisht që janë edhe urgjente dhe arsyeja është fare e thjeshtë, kjo është diçka që po ofrohet nga vendet e rajonit të cilat po janë shumë më konkurruese dhe më agresive në tërheqjen e investimeve të huaja direkte dhe nëse ne dëshirojmë të kemi investitorë të huaj, natyrisht kjo është ajo çka duhet të ofrojmë”, vlerëson Zeka.

Kosova ka shënuar rënie të madhe të investimeve të huaja ndërkombëtare gjatë viteve të fundit. Derisa në vitin 2007, këto investime arrinin shifrën e mbi 500 milionë euro, në vitin 2014 ato shënuan rënie në 121 milionë euro.

Në programin e aprovuar nga Qeveria e Kosovës, thuhet se në kuadër të politikave tatimore, do të aplikohen pushimet tatimore për bizneset. Kjo politikë, thuhet se do të kontribuojë në zhvillimin e mëtutjeshëm të ndërmarrjeve të reja dhe stimulimin e investimeve të reja në vend, si dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Megjithatë, nuk tregohet se kur do të hyjnë në fuqi.

Në një intervistë dhënë për Radion Evropa e Lirë në muajin shkurt, ministri i Financave Avdullah Hoti, kishte thënë se brenda gjashtë muajve do të procedohen në Kuvendin e Kosovës ligjet që e rregullojnë këtë çështje.

Shaqir Palushi, pronar i kompanisë “Frutex” nga Suhareka, thotë se pushimet tatimore për një kohë të caktuar, do t'i ndihmonin prodhuesit në Kosovë.

Megjithatë, ai kujton se në një dokument që i është dërguar bizneseve nga Ministria e Financave, nuk janë paraparë këto lehtësira për bizneset, por që siç thekson ai, këto lehtësira do t'i propozojnë ndaj autoriteteve kompetente.

“Një nga propozimet tona, do të jetë lirimi nga pagesa e tatimit në fitim për koorporatat që investojnë. Kompanitë që investojnë mbi 1 milion euro, do të propozojmë të lirohen një vit, ato që investojnë 2 milionë të lirohen nga këto pagesa 2 vite dhe ato që investojnë 3 milionë të lirohen 3 vite”, thotë ai.

Ndryshe, në prill të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që të ketë pushime nga taksat për të gjitha investimet e reja, tre deri në shtatë vite.

Për investitorët që investojnë prej dy deri në pesë milionë euro, ishte theksuar se do të kenë katër vite lirim nga Tatimi në Koorporatat dhe nga Tatimi në Vlerën e Shtuar.

Kurse ata që investojnë deri në dhjetë milionë euro, do të lirohen për pesë vite. Ndërsa mbi dhjetë milionë euro dhe 150 vende pune, lirohen deri në shtatë vite nga këto taksa.

Sidoqoftë, ky vendim nuk kishte hyrë në fuqi në atë kohë për shkak të procedurave ligjore të cilat kishin ngecur, si pasojë e ngërçit politik.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG