Ndërlidhjet

Zhbogar, Meucci e Krasniqi diskutojnë rastin "Kleçka"


Ilustrim
Ilustrim

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, dhe shefi i misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë – EULEX, Gabriele Meucci, janë takuar sot me Jakup Krasniqin, nga partia Nisma për Kosovën.

Në një njoftim të publikuar nga zyra e BE-së në Prishtinë, thuhet se në takim janë “shkëmbyer pikëpamjetmbi akuzat e publikuara kohët e fundit për ndërhyrje në procedurat gjyqësore ndaj kryetarit të NISMA-s, Fatmir Limaj”.

Zoti Zhbogar citohet të ketë thënë se "EULEX-i nuk është në Kosovë për të ndjekur asnjë agjendë politike, por është për drejtësi dhe sundim të ligjit” dhe se “ekzistojnë mekanizma për gjetjen e parregullsive të mundshme”.

Zoti Meucci ndërkaq thuhet t’i ketë paraqitur në takim “të gjitha faktet relevante për të ashtuquajturin 'rastin Kleçka', e që aktualisht është në pritje të apelit në Gjykatën e Apelit”, duke rikujtuar edhe skualifikimin e panelit në nivelin e apelimit nga Kryetari i Gjykatës së Apelit.

Ai i ka cilësuar akuzat e publikuara së fundmi se jofaktike.

Takimi i sotëm pason takimin që presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka zhvilluar me zotin Meucci të mërkurën, më 11 mars, e në të cilin zonja Jahjaga citohet të ketë kërkuar vënien e drejtësisë në vend në rastin e zotit Limaj.

Nisma për Kosovën ka bërë thirrje të sqarohen pohimet për ndërhyrje në rastin “Kleçka”, rigjykimi i të cilit u hap në shtator të vitit të kaluar.

Zoti Limaj dhe nëntë persona të tjerë akuzohen për torturë dhe keqtrajtim të civilëve shqiptarë në një burg në fshatin Kleçkë në vitin 1999. Që të gjithë ishin liruar si të pafajshëm më 2013.

E përdtishmja në Prishtinë, “Koha Ditore”, kishte cituar një burim të paidentifikuar të misionit evropian për sundimin e ligjit të ketë thënë se “dënimin e zotit Limaj e kishte garantuar gjyqtari portugez i EULEX-it, Manuel Soares”, duke e parë si mundësi për prishjen e koalicionit të atëhershëm ndërmjet Lidhjes Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën”.

XS
SM
MD
LG