Ndërlidhjet

Dita Botërore e Veshkës Kosovën e gjen me 700 persona të sëmurë. Nefrologu Ibrahim Rrudhani, thotë për Radion Evropa e Lirë se çdo vit rreth 80 raste të reja kanë nevojë për hemodializë.

"Veshka është organ me rëndësi, pasi që ka shumë funksione. Në Kosovë ka të sëmurë si në gjithë regjionin, por që numri i të sëmurëve nga veshkat po shtohet fatkeqësisht. Kjo si pasojë e të sëmurëve nga diabeti, e cila prek gjeneratat më të shtyra në moshë".

"Si në gjithë botën edhe te ne sëmundshmëria është 33 për qind, derisa në botë është rreth 52 për qind. Te ne numri më i vogël është si rezultat i popullatës së te", bën të ditur Rrudhani.

Ai përmend edhe transplantimin e veshkave si një problem me të cilin ballafaqohen, meqë në Kosovë nuk mund të bëhet një gjë e tillë, për shkak të mungesës së ligjit.

"Transplantimi i veshkave mbetet problem për Kosovën. Por pacientët shkojnë në Maqedoni, Shqipëri ose Turqi për transplantim, e që shpenzimet i mbulon Ministria e Shëndetësisë. Përcjelljen e pacientëve pas transplantim i bëjmë ne në klinikë", shprehet Rrudhani.

Ai thotë se sa i përket hemodializës, kushtet janë të mira, si me aparaturë, po ashtu edhe me kuadër të mjaftueshëm profesional.

Zeqir Gashi, 63 vjeçar, inxhinier me profesion, thotë se ka pasur problem me veshkë, edhe pse është shëruar jashtë vendit, kontrollet i bën në Prishtinë.

"Kam qenë i sëmurë nga veshkat. Jam shëruar në Amerikë, kam qenë i shtrirë në spital për një muaj rresht. Sot kam ardhur të kontrollohem, edhe pse tash jam mirë me shëndet", tregon ai.

Ndërkaq Ymer Elezi, kryetar i Shoqatës së Nefrologëve të Kosovës, ka thënë se diagnostikimi i hershëm i sëmundjes së veshkave është më se i domosdoshëm, andaj si nevojë për informim çdo vit shënohet Dita Botërore e Veshkave.

"Shoqata e Nefrologëve të Kosovës për të shtatin vit me radhë e shënojnë Ditën Botërore të Veshkave. Kjo ditë shënohet me qëllim të informimit të opinionit për sëmundjet e veshkave meqë njihet si sëmundje e heshtur. Veshkat janë organ urtak dhe pa asnjë shenjë kalon sëmundja. Sidomos ata që kanë sëmundjen e sheqerit, hipertensionin, të moshuarit, mbipesha duhet të kontrollojnë veshkat", thotë Elezi.

Sidoqoftë, sipas profesionistëve shëndetësorë aktualisht në botë çdo i dhjeti person vuan nga një formë e dëmtimit në veshkë.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG