Ndërlidhjet

Nxënësit e riatdhesuar, me orë plotësuese


Ilustrim©Shutterstock
Ilustrim©Shutterstock

Të gjithë nxënësit e arsimit parauniversitar të cilët për shkak të migrimit kanë braktisur shkollën, nëse kthehen në Kosovë deri në prill të këtij viti, kanë mundësi që të vazhdojnë procesin e rregullt mësimor, ndërkaq pas kësaj periudhe mund t’i nënshtrohen provimevetë klasës.

Kështu thotë për Radion Evropa e Lirë, Azem Guri, këshilltar politik në Ministrinë e Arsimit në Qeverinë e Kosovës, duke shtuar se disa nxënës tashmë janë kthyer nga vendet e Bashkimit Evropian, ku kishin migruar më familjet e tyre, dhe kanë filluar procesin mësimor, por që nuk dihet numri i saktë i tyre.

Megjithatë, sipas të dhënave të kësaj ministrie, 5,200 nxënës që kanë braktisur shkollimin, muajve të fundit, për shkak të migrimit.

"Deri në muajin prill, sipas nj analize që kemi bërë, të gjithë ata që kthehen nuk do të kenë vështirësi rreth humbjes së mësimit. Kurse për të gjithë ata që do kthehenpas muajit prill, ne do të analizojmë dhe të shohim varësisht prej numrit të ditëve, gjegjësisht orëve që kanë humbur, në mënyrë që të shohim se a do të kenë mundësi të futen në provime të klasës në mënyrë që mos ta humbin vitin dhe të vazhdojnë me gjeneratën”, thekson Guri.

Ekspertët e çështjeve të arsimit, ndërkaq konsiderojnë se përveç nevojës së mbajtjes së orëve plotësuese, për nxënësit e riatdhesuar nevojiten edhe këshillime pedagogjike dhe psikologjike, sepse mund të ketë raste të humbjes së dëshirës për vazhdimin e shkollimit.

Dukagjin Pupovci, udhëheqës në Qendrën për Arsim të Kosovës, vlerëson se për lëndë të caktuara shkollat duhet të organizojnë orë plotësuese për nxënësit e riatdhesuar.

“Duhet të kemi parasysh faktin se një numër prej tyre mund të humbin edhe vullnetin për mësim, për faktin se për një periudhë 2 -3 mujore janë larguar nga shkolla dhe kjo kërkon që ti kushtohet kujdes edhe këshillimeve pedagogjike".
"Pra, mos të mendojmë se këtu bëhet fjalë vetëm për përmbajtje (vetëm se dikush i ka humbur 10-15 mësime) por mund t’i ketë humbur edhe disa shprehi të cilat tani duhet ti rikthehen”
, thotë Pupovci për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, të mërkurën në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës janë kthyer 122 persona, të cilët kishin migruar ilegalisht muajve të fundit në vendet e Bashkimit Evropian, por numri i fëmijëve të kthyer nuk dihet.

Valon Krasniqi nga Ministria e Brendshme, Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion, thotë se nuk e kanë të regjistruar moshën e personave të riatdhesuar.

"Moshën e të riatdhesuarave nuk e kemi të përcaktuar, kjo nxirret pas një kohe pasi të përpunohen të gjitha të dhënat, atëherë nxirret mosha mesatare e të riatdhesuarve. Me moshë nuk i kemi të ndarë ende, por i kemi vetëm në bazë të shteteve", thotë Krasniqi.

Shumica e personave të kthyer janë nga shteti i Austrisë, Gjermanisë dhe Hungarisë.

XS
SM
MD
LG