Ndërlidhjet

Në Klinikën e Kardiokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, punon vetëm një kardiokirurg.

Mungesa e madhe e resurseve njerëzore po bën që kjo klinikë të mos mund të funksionojë.

Izet Sadiku, këshilltar në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se sëmundjet kardiovaskulare janë ato që shkaktojnë numrin më të lartë të vdekjeve në vend...

"Funksionalizimi i Kardiokirurgjisë është një prej prioriteteve të ministrit Imet Rrahmani, duke marrë parasysh faktin që është njëra nga sëmundjet që shkakton vdekshmërinë më të lartë - sëmundja kardiovaskulare. Prandaj është e domosdoshme nevoja për krijimin e shërbimeve që merren me këtë problematikë", thekson Sadiku.

Kardiokirurgu i vetëm, njëherësh drejtor i kësaj klinike, Bekim Dula, nuk kemi arritur ta kontaktojmë, lidhur me vështirësitë me të cilat po përballet kjo klinikë, duke marrë parasysh fluksin e madh të pacientëve me probleme në zemër.

Ndryshe, Klinika e Kardiokirurgjisë ishte funksionalizuar në vitin 2013, ku ishin kryer shumë operacione në zemër të hapur.

Mjekët kosovarë kanë bashkëpunuar me mjekë nga rajoni e Evropa, ku ishte punuar edhe me teknikë të re, pa asistim të aparatit të qarkullimit jashtë trupor, pra pa e ndalur punën e zemrës.

Në këtë klinikë kanë punuar edhe dy kardokirurgë, Raif Qavolli dhe Adem Gerbollar, të cilët vitin e kaluar e kanë ndërprerë marrëdhënien e punës.

Sa i përket mundësisë së rifunksionalizimit të Klinikës së Kardiokirurgjisë, Izet Sadiku, këshilltar në Ministrinë e Shëndetësisë thotë se po mundohen të gjejnë një zgjidhje...

"Kemi gjetur një rrugë për një marrëveshje mes Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe Qendrës Spitalore Universitare të Tiranës, por që ende nuk po mund të funksionalizohet për shkak të procedurave ligjore, që duhet të paguhen mjekët për kryerjen e shërbimeve në Kosovë".

"Por ne jemi duke shikuar mundësinë e punësimit të kardiokirurgëve kosovarë në QKUK, pasi që Kosova ka kardiokirurgë, por ata punojnë në sektorin privat ose jashtë vendit", bën të ditur Sadiku.

Xhemajl Selmani, kryetar i Sindikatës së Shëndetësisë në QKUK ka bërë të ditur se si udhëheqës i kësaj sindikate, nuk ka shumë informata se çka në të vërtetë po bëhet për të funksionalizuar këtë shërbim, ndërkohë që flet për mos funksionalizimin e saj.

"Kardiokirurgjia nuk është duke funksionuar. Ne jemi aty me objekt dhe unë nuk kam parë që ka lëvizur diçka pozitive. Një marrëveshje mes shtetit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë është bërë, por pse ka ngec nuk kam informacione", thekson Selmani.

Sidoqoftë, zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se Ministria e Shëndetësisë ka shpenzuar shuma të mëdha parash, ku konsiderohet se pjesa më e madhe e buxhetit kanë shkuar për shërimin e qytetarëve nga sëmundjet e zemrës.

Vetëm gjatë vitit 2014 janë shpenzuar 490 mijë euro në spitale private, apo edhe në vendet e rajonit e më gjerë.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG