Ndërlidhjet

logo-print

Marrëveshja me Iranin nuk është e sigurt

  • RFE /RL

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry.

Në prag të bisedimeve me Iranin, Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka thënë se është ende e paqartë nëse do të arrihet marrëveshje për programin bërthamor të Republikës Islamike.

Gjashtë fuqitë botërore, në mesin e tyre Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kina, Franca, Britania dhe Gjermania, kërkojnë që Irani të frenojë aktivitetet bërthamore, për të cilat druajnë se kanë synim krijimin e armës atomike.

Teherani thotë se programi i tij bërthamor është plotësisht paqësor, por ai nuk ka lejuar qasjen e vëzhguesve ndërkombëtarë në të gjitha lokacionet e tij për pasurim të uraniumit.

Fuqitë botërore kanë caktuar fundin e marsit si afat për arritjen e një marrëveshjeje kornizë.

“Që nga fillimi, këto bisedime kanë qenë të vështira dhe intensive. Ato mbeten të tilla. Ne kemi shënuar përparim, por ka ende hendeqe, hendeqe të rëndësishme. Irani duhet të bëjë zgjidhje të rëndësishme për të ecur përpara”, ka thënë Kerry në një konferencë për investime në Sharm El-Sheik të Egjiptit.

Bisedimet ndërmjet gjashtë fuqive botërore dhe Iranit do të rinisin të dielën në Lozanë të Zvicrës. Nëse marrëveshja kornizë arrihet deri në fund të muajit, palët do të negociojnë marrëveshjen finale deri më 30 qershor.

Me marrëveshjen finale, Irani do të frenonte veprimtaritë e ndjeshme bërthamore për së paku 10 vjet. Në këmbim, sanksionet kundër Republikës Islamike do të merrnin fund gradualisht.

“Ne vazhdojmë të jemi të fokusuar në arritjen e marrëveshjes - marrëveshje që do të mbronte botën, përfshirë Shtetet e Bashkuara, aleatët dhe partnerët tanë të afërt, nga kërcënimi që mund të paraqesë një Iran me armë bërthamore. Ende nuk e dimë nëse do ta kemi ose jo”, ka thënë Kerry.

Ai sërish ka shprehur shqetësimin se letra dërguar Iranit, javën e kaluar, nga senatorët republikanë, mund t’i ketë dëmtuar bisedimet. Letra ka paralajmëruar Iranin se çdo marrëveshja e bërë nga presidenti Barack Obama mund të vlejë vetëm gjatë kohës sa ai është në detyrë.

Kerry ka thënë se do të sigurojë negociatorët iranianë dhe aleatët evropianë gjatë bisedimeve të ardhshme se Kongresi nuk ka autoritet të ndryshojë marrëveshjen.

Letra ka pasuar fjalimin në Kongres të kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili ka thënë se Obama është duke negociuar “marrëveshje të keqe” me Iranin.

Republikanët kanë ftuar këtë muaj Netanyahun që të flasë për Iranin në Kongres, pa u konsultuar me Shtëpinë e Bardhë apo demokratët.(v.tela)

XS
SM
MD
LG