Ndërlidhjet

Maqedoni: Shtohen blerjet nëpërmjet internetit


Ilustrim

Ilustrim

Në Maqedoni funksionojnë qindra dyqane, të cilat produktet e tyre i shesin vetëm nëpërmjet internetit, on-line.

Janë gjeneratat më të reja ato, që shfrytëzojnë mundësinë e blerjes nëpërmjet internetit, derisa produktet, të cilat më së shumti blihen on-line janë ato kozmetike, ato për estetikë dhe fitnes, aksesorë të ndryshëm, si dhe veshmbathjet.

Elena Nikollovska, e cila ka një fëmijë dhe njëkohësisht është studente, thotë për Radion Evropa e Lirë se blerja on-line i kursen kohë dhe njëherësh kjo mënyrë e blerjes për të është edhe zbavitëse.

“Po më shumë kam blerë produkte për fëmijë, lodratë ndryshme të brendeve të njohura. Edini, gjatë blerjes on-line ju nuk kufizoheni se ku do ta gjeni një produkt të caktuar, pra nëse njihni gjuhën dhe jeni pak më të shkathtë, ju arrini të siguroni atlete të cilësisë së lartë të markave të njohura, të cilat prodhohen për tregun evropian”, rrëfen Elena eksperiencën e saj.

Megjithatë, gjeneratat më të vjetra e shikojnë me skepticizëm mundësinë e blerjes së produkteve të ndryshme nëpërmjet internetit, andaj për to më e preferuar mbetet blerja konvencionale, përkatësisht ajo në dyqan.

Jo asnjëherë s’më shkon mendja të blej nëpërmjet internetit, thjesht s’kam besim për cilësinë e asaj që reklamohet, madje një kolege na tregoi se xhaketat për fëmijë i kishin ardhur për disa numra më të vegjël nga ç’i kishte porositur, dhe s’kishte mundësi t`i kthejë në Dubai”, tregon Linda Azemi, mësuese.

Por, Aleksandri, 30 vjeç, i cili ka një punëtori të mobilieve nga hekuri i përpunuar, thotë se shitja on-line e ka ndihmuar që prodhimet e tij të jenë më konkurruese në treg, për shkak të kostos së ulët të shpenzimeve, duke kursyer për hapjen e dyqaneve dhe punëtorëve, të cilët do të angazhoheshin në shitje.

“Po unë kam vetëm punëtorinë me disa punëtorë, produktet tona nga hekuri i përpunuar i reklamojmë dhe i shesim vetëm nëpërmjet internetit. Mendoj se kështu është më lehtë. Unë jam nga Velesi, por myshterinj kam nga e gjithë Maqedonia dhe meqë prodhimet tona blihen nga dora e parë, kjo i bën më të lira”, thekson Aleksandri.

Ndërkaq, kryetarja e Organizatës për Mbrojtjen e Konsumatorëve në Maqedoni, Marijana Llonçar, për Radion Evropa e Lirë bën të ditur se 10 për qind e ankesave të konsumatorëve kanë të bëjnë me blerjet nëpërmjet internetit.

Ajo thotë se konsumatorët janë shprehur se ndihen të mashtruar sa i përket cilësisë, si dhe përbërjes së produktit të porositur nga ueb-faqet e ndryshme.

Llonçar thekson se rregullativa ligjore i mbron qytetarët vetëm nëse ata blejnë mallra përmes internetit, të cilat janë nga Maqedonia, po jo edhe ato mallra që blihen jashtë vendit.

“Të gjithë ata, që blejnë on-line në tregun maqedonas, janë të mbrojtur, sepse saktë janë të definuar mekanizmat juridikë, përmes të cilëve mbrohen konsumatorët. Problemi është kur blihet jashtë vendit”.

“Maqedonia duke mos qenë anëtare e Bashkimit Evropian, nuk është nënshkruese as e konventave evropiane që rregullojnë të drejtat e konsumatorëve, edhe pse ankesat e arritura te ne, nuk kanë të bëjnë me produktet e blera nga vendet evropiane, por ata lidhen me vendet e treta ose faqet e ndryshme në internet, të cilat kanë për qëllim të mashtrojnë klientët dhe realisht ato nuk ekzistojnë”, sqaron Llonçar.

Ajo thekson se konsumatorët, të cilët blejnë on-line, vëmendje të veçantë duhet t`u kushtojnë kushteve për shfrytëzimin e prodhimeve të caktuara, veçanërisht atyre që kanë të bëjnë me dërgesën e prodhimit.

“Problemet, të cilat më së shumti paraqiten nga blerja on-line, kanë të bëjnë me mungesën e servisimit të produkteve të ndryshme elektronike, ose pjesëve rezervë. Jo të pakta janë ankesat për cilësinë e produktit, i cili në ueb-faqe duket shumë më joshës sa i përket cilësisë, kurse kur e merrni në dorë duket qartë se nuk bëhet fjalë për të njëjtin produkt të reklamuar".

"Andaj, një nga mekanizmat për mbrojtjen e konsumatorëve është formulari, të cilin duhet ta ofrojë çdo shitës on-line ku saktë definohet mundësia për të kthyer prodhimin e caktuar nëse konsumatori nuk është i kënaqur”, shton Llonçar.

Ndërkaq, problem më vete, sipas Llonçarit, paraqet dhe fakti se qytetarët e Maqedonisë nuk disponojnë me njohuri të mjaftueshme për rregullat gjatë blerjes nëpërmjet internetit, aq më pak me të drejtat e tyre.

Nga ana tjetër, konsulentët e internetit thonë se autoritetet shtetërore, me theks Agjencia për Shoqëri Informative, duhet të angazhohet më shumë në këtë drejtim, përkatësisht për të definuar kushtet e funksionimit të tregut elektronik, sepse kjo mënyrë e shitblerjes tashmë paraqet një degë të rëndësishme për vendet e zhvilluara.

XS
SM
MD
LG