Ndërlidhjet

Faktori ndërkombëtar vazhdon të bëjë thirrje për dialog mes pushtetit dhe opozitës, por edhe hetim të plotë të asaj që njihet si “aferë e përgjimeve“ në Maqedoni, duke shprehur në të njëjtën kohë edhe gatishmërinë për të ndihmuar bisedimet eventuale mes palëve për nxjerrjen e vendit nga kriza.

Por, bazuar në qëndrimet e dy blloqeve politike, një dialog i tilllë duket thuajse i pamundur.

Opozita thotë se “veprimet kriminale të qeverisë që janë zbardhur nga përgjimet telefonike, e kanë zhveshur atë nga legjitimiteti dhe se vetëm dorëheqja e saj dhe formimi i një qeverie kalimtare, do ishte zgjedhje për dalje nga gjendja e krijuara".

Nga ana tjetër pushteti mbetet në qëndrimin se “përgjimet e publikuara nga opozita janë siguruar nga shërbimet e huaja sekrete dhe janë montuar me qëllimin e vetëm, rrëzimin e qeverisë së zgjedhur në mënyrë demokratike“.

Kërkesa për qeveri kalimtare është refuzuar ditë më parë nga kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski duke thënë se “për atë se kush do të jetë në qeveri, vendos vetëm se populli dhe askush tjetër“.

Njohësit e çështjeve politike, kanë qëndrimet të kundërta, nëse do të ketë dialog politik dhe për çfarë do të bisedohet në të.

Analisti, Naser Zyberi, thotë se nëse vendoset një dialog i tillë, ai duhet të ketë qëllim kryesor formimin e një qeverie të re.

“Dialog për çështje tjera nuk mund të zhvillohet“, thotë Zyberi.

“Dialogu është i pashmangshëm për dalje nga kjo situatë shumë e rëndë politike. Temë e bisedave mund të jetë vetëm marrëveshja politike për dorëheqjen e parevokueshme të qeverisë aktuale, të formimit të një qeverie kalimtare, apo të ekspertëve, nuk është me rëndësi se si do të quhet ajo."

"Por, një qeveri me mandat rigoroz të përcaktuar që t'i bëjë ndryshimet ligjore për zgjedhje fer dhe demokratike dhe konstituimin e organeve të reja, të cilat do të vazhdojnë procesin politik të stabilizimit të vendit“, thotë Zyberi.

Por, ndryshe nga ai vlerëson analisti, Nikolla Dujoski.

Ai mendon se qeveri kalimtare nuk do të ketë ndërsa dialogu duhet të zhvillohet nga aktorët aktual politik për përgatitjen e vendit për zgjedhje të reja.

“Vlerësoj se ne nuk do të kemi qeveri kalimtare, bisedimet duhet të përqëndrohen rreth kodit zgjedhor dhe asaj se si do të organizohen zgjedhjet e ardhshme, që të jenë të lira dhe demokratike, qofshin ato të rregullta apo të jashtëzakonshme, por të kërkohet dalje nga kriza përmes një qeverie kalimtare për momentin besoj se është e pamundur“, thotë Dujoski.

Ai këtë e thotë duke u bazuar në deklaratën e një dite më parë të kryeministrit, Nikolla Gruevski se një qeveri e tillë mund të formohet, por pa VMRO-DPMNE-së, duke lënë për të kuptuar se kjo parti do të pengojë realizimin e një ideje të tillë.

Nga ana tjetër, Naser Zyberi thotë se dialogu i tillë do të imponohet nga faktori ndërkombëtar, i cili edhe kërkon në vazhdimësi gjetjen e mënyrave për dalje nga kriza politike.

Nëse edhe një ofertë e komunitetit ndërkombëtar refuzohet, atëherë ai nuk përjashton edhe skenar tjetër që do të kishin pasoja shumë të rënda për vendin.

“Nëse ata nuk pranojnë dialog me ndërmjetësim ndërkombëtar dhe formimin e një qeverie të tranzicionit do të thotë se nuk ka zgjidhje politike. Zgjidhja tjetër do të jetë përmes rrugës, do të jetë me trazira, do të jetë shumë e rëndë dhe e përgjakshme“, thotë Zyberi.

Kriza e pranishme që nga zgjedhjet parlamentare të prillit të vitit të kaluar, ka kulminuar para dy javësh kur opozita nisi me publikimin e bisedave të shumta telefonike të zyrtarëve, të cilat pretendon të jenë bërë me urdhër të policisë sekrete, e të cilat, sipas opozitës, “dëshmojnë veprimet kriminale të qeverisë“.

Por këto pretendime janë hedhur poshtë nga qeveria me arsyetimin se “janë të montuara dhe të siguruara në mënyrë të paligjshme“.

XS
SM
MD
LG