Ndërlidhjet

Sommaruga dhe Jahjaga: Migrimi ilegal – ndër temat e diskutuara


Atifete Jahjaga dhe Simonetta Sommaruga (djathtas) gjatë takimit të sotëm në Bernë të Zvicrës
Atifete Jahjaga dhe Simonetta Sommaruga (djathtas) gjatë takimit të sotëm në Bernë të Zvicrës

Presidentja e Konfederatës së Zvicrës, Simonetta Sommaruga, dhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, sot në Bernë të Zvicrës kanë biseduar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, për migrimin ilegal, sundimin e ligjit dhe për perspektivën integruese të Kosovës.

Presidentja Jahjaga tha se ndihma e Zvicrës është e rëndësishme për Kosovën, duke pasur parasysh një numër të madh të qytetarëve të Kosovës, që janë shtetas të Zvicrës dhe që po e ndihmojnë vendin e tyre, thuhet në faqen në Internet të Presidencës së Kosovës.

Zonja Sommaruga e vlerësoi të domosdoshme shkëmbimin e vizitave, që shënon vazhdimësi të bashkëpunimit dhe ka vlerësuar se Kosova dhe Zvicra kanë një marrëdhënie shumë të mirë ndërmjet vete.

U diskutua edhe për mundësinë e krijimit të fondit të përbashkët ndërmjet dy vendeve, që do ta ndihmonte zhvillimin ekonomik të Kosovës.

“Kemi hapur edhe çështje të ndryshme për disktuim, në mesin e të cilave edhe atë të migrimit ilegal të qytetarëve nga Kosova”, tha Jahjaga në konferencën për gazetarë, dhe ka shtuar se “u pajtuam për një bashkëpunim të ngushtë në procesin e riatdhesimit të të gjithë atyre azilkërkuesve nga Kosova, të cilët fatkeqësisht kanë rënë pre e grupeve kriminale, që kanë përfituar nga fatkeqësia e tyre”.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahgaja, tha se “Kosova sot është një vend i stabilitetit dhe paqes në rajon dhe i fqinjësisë së mirë, kontribuese e fuqishme e sigurisë, jo vetëm brenda vendit, por në rajon dhe më gjërë”.

XS
SM
MD
LG