Ndërlidhjet

Izraeli para zgjedhjeve

  • RFE /RL

Votuesit izraelitë u janë drejtuar qendrave të votimit për zgjedhjet parlamentare, në të cilat kryeministri aktual, Benjamin Netanjahu përballet me një sfidë të rëndë.

Sondazhet e fundit para zgjedhjeve të sotme, tregojnë se partia Likud e qendrës së djathtë e Netanjahut, qëndron prapa partisë së qendrës së majtë të Aleanca e Unionit Zionist, të Isaac Herzogut.

Të hënën, në përpjekjet e fundit për të tërhequr votuesit e ekstremit të djathtë, Netanjahu tha se asnjë shtet palestinez nuk do të ndërtohet nëse ai zgjidhet për një mandat të katërt si kryeministër.

Nëse Netanjahu, 65 vjeçar, qëndron në pushtet deri më 2019-ën, ai do të bëhet kryeministri që ka shërbyer më së gjati në Izrael.

Unioni Zionist është zotuar që të punojë drejt përmirësimit të marrëdhënieve me palestinezët dhe komunitetin ndërkombëtar.

Gjatë fushatës, Netanjahu gjithashtu ka paralajmëruar se është kundër çfarëdo marrëveshjeje me Iranin, rreth programit bërthamor të Republikës Islamike.

Asnjëra palë nuk pritet të marrë më shumë se një të katërtën e votave, mirëpo sondazhet e publikuara javën e kaluar e tregojnë Unionin Zionist si fitues më të madh të parlamentit Knesset me 120 ulëse.

“Sot po reflektohet festa e demokracisë. Ju bëj thirrje qytetarëve të Izraelit, jo vetëm t’i bashkohen festës, por të marrin fatin në duart e tyre, që të vendosin për të ardhmen e shtetit në mënyrën që ata duan të jetë, të gjithë në mënyrën e vet, nga këndvështrimi i vet”, tha presidenti i Izraelit Reuven Rivlin.

Netanjahu, duke votuar sot në Jerusalem, e ka pranuar para gazetarëve se avantazhi i kundërshtarit të tij është zgjeruar.

“Për të parandaluar ardhjen në pushtet të partisë së krahut të majtë, ekziston vetëm një mundësi, ta mbyllësh hapësirën”, ka thënë Netanjahu gjatë një mitingu votuesve nacionalistë fetar të partisë së tij.

Herzog, udhëheqësi i partisë së punës së Izraelit dhe partnerja e tij politike, ish ministrja e jashtme dhe negociatorja për paqe, Tzipi Livni, e kanë akuzuar Netanjahun se po përdorë frikën rreth sigurisë për të tërhequr vëmendjen nga temat sociale.

“Këto zgjedhje janë në mes të ndryshimit dhe shpresës, apo dëshpërimit dhe zhgënjimit. Kushdo që dëshiron të vazhdojë mënyrën e udhëheqjes së Bibit (kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu), që është dëshpërim dhe zhgënjim, mund të votojnë për të.

"Por, kushdo që dëshiron ndryshim, shpresë dhe vërtetë një të ardhme më të mirë për Izraelin, votoni për Unionin Zionist nën udhëheqjen time dhe më jepni mandatin, me fuqi të plotë për të themeluar një qeveri të mirë për Izraelin dhe ndryshoni kursin drejt një ndryshimi për një të ardhme më të mirë” ,ka thënë Herzog derisa e ka hedhur votën e tij në Tel Aviv.

Netanjahu i ka kushtuar pak vëmendje ekonomisë gjatë fushatës së tij, derisa kundërshtarët e tij janë zotuar se do ta trajtojnë ekonominë me shqetësim të shtuar dhe të zvogëlojnë dallimin në mes të pasanikëve dhe të varfërve.

Shumë izraelitë ankohen se ata nuk mund t’ia dalin dhe se kanë vështirësi të blejnë apartamente, pasi çmimet e tyre janë ngritur tejmase.

Kundërshtarët e Netanjahut, gjithashtu thonë se ai i ka rrezikuar edhe marrëdhëniet e afërta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Uashingtoni ka thënë se qeveria e tij është duke i "minuar" bisedimet për paqe me palestinezët të nxitura nga SHBA-të, përmes këmbënguljes së Netanjahut për të zgjeruar vendbanimet e hebrenjve në territoret e okupuara.

Netanjahu e kishte zemëruar edhe më shumë administratën e Barack Obamas, duke e pranuar një ftesë nga kundërshtarët e presidentit amerikan, senatorët republikanë në Kongresin amerikan.

Netanjahu gjatë fjalimit në Kongres, i kishte kundërshtuar përpjekjet e Obamës për të arritur marrëveshje historike me Iranin, rreth programit bërthamor të Republikës Islamike.

Sipas sistemit zgjedhor të Izraelit, asnjë parti deri më tash nuk e ka fituar shumicën absolute në Knesset, ose parlamentin e këtij shteti.

Në vend të kësaj, partia me mundësitë më të mira për të formuar koalicion qeverisës, është ajo që ka rezultatin më të mirë zgjedhor.

Unioni Zionist duhet të fitoj së paku 61 ulëse për të ndërtuar një qeveri të koalicionit dhe kjo nënkupton marrjen e përkrahjes së partive më të vogla të qendrës së majtë, si dhe të partisë së ekstremit të majt, Meretz.

Unionit Zionist i duhet edhe përkrahje e partisë ultra-ortodokse, që pritet të fitojnë rreth 13 ulëse, po aq sa pritet të fitojnë edhe partitë arabe, të cilat për herë të parë kanë unifikuar listën e kandidatëve.

Analistët thonë se arabët vështirë mund t’i bashkohen një koalicioni të qendrës së majtë, ndërsa partitë e tyre mund t’i japin përkrahje të heshtur në parlament, duke i dhënë kështu shtytje qendrës së majtë kundrejt Netanjahut.

Mbi 5.8 milionë votues, mund të hedhin votën e tyre nga ora 7 e mëngjesit sipas orës lokale deri në orën 22:00, në më shumë se 10 mijë qendra votimi që gjenden në tërë vendin.

Përgatiti: Artan Haraçia
XS
SM
MD
LG