Ndërlidhjet

Debat i vonuar për komunitetin LGBT në Kosovë


Ilustrim

Ilustrim

Përfaqësues të institucioneve të Kosovës, ata të zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe organizata që sigurojnë mbrojtje për pjesëtarët e komunitetit gej, lezbike, biseksual e transgjinor, LGBT, thanë se problem për këtë komunitet mbetet “urrejtja e vazhdueshme”.

Në një konferencë kombëtare me temën “LGBT-të në Politikë”, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës theksuan se Kosova si shtet ka dëshmuar qasje pozitive në ndërtimin e politikave të barazisë, të cilat sigurojnë dhe promovojnë diversitetin dhe krijimin e atmosferës se barazisë për të gjithë qytetarët pa dalim.

Ramadan Ilazi, zëvendësministër i Integrimeve Evropiane në qeverinë e Kosovës, tha se projekt-ligji kundër diskriminimit, i cili pritet të miratohet do të formësojë politika shtetërore kundër personave që diskriminojnë edhe komuniteti LGBT.

“Në Evropë duhet të shkojmë të bashkuar dhe jo të ndarë e të kategorizuar brenda shoqërisë sonë, kategori këto që presupozojnë statusin tonë në shoqëri për të legjitimuar diskriminimin dhe përjashtimin. Prandaj pjesëmarrja e komuniteti LGBT në politikë është një domosdoshmëri për demokracinë tonë, për karakterin e shoqërisë sonë dhe për të ardhmen tonë evropiane”, tha Ilazi.

Thomas Gnocchi nga zyra e përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian në Kosovë, tha se debati për të drejtat e komuniteti LGBT është i vonuar në Kosovë.

“Edhe sot në Kosovë dhe në Evropë, LGBT, përballet më diskriminim çdo ditë. Ata janë të diskriminuar në të gjitha fushat e jetës ekonomike dhe shoqërore. Ata shpesh janë viktimë e sulmeve verbale dhe fizike që mbeten shumë të padukshme,brenda stigmatizimit dhe pasojave negative”, tha Gnocchi, duke rikujtuar se pësimi i një personi për shkak të orientimit seksual që ka, është shkelje e të drejtave të njeriut.

Nga ana tjetër, disa nga përfaqësuesit e partive politike në Kosovë, të pranishme në ketë konferencë deklaruan se në subjektet e tyre politike ështëpunuar për respektimin e të drejtave të njeriut, ndonëse pranuan se për të drejtat e këtij komuniteti duhet të punohet më shumë.

Por, për përfaqësuesit e organizatave joqeveritare, këto zotime të partive politike nuk ishin edhe aq bindëse.

Myrvete Bajrami, aktiviste ka kritikuar institucionet e Kosovës dhe partitë politike, duke thënë se nuk mund të pritet deri ne pafundësi për realizimin e të drejtave të komunitetit LGBT, dhe miratimin e ligjit kundër diskriminimit.

“Nuk mundeni si qeveri të thoni ngadalë se ne kemi probleme të tjera. Nuk mundeni si parti politike të thoni ngadalë se ne kemi çështje të tjera më madhore, për shkak se të drejtat e njeriut janë universale. Edhe unë dua t’i kem të drejtat e njëjta,sikur që s’kam ujë dhe rrymë në Kosovë si të tjerët”, tha Bjarami.

Ajo megjithatë tha se pjesëtarë të komunitetit që ajo përfaqëson tashmë janë në politikë...

“Në politikë jemi. Nuk e keni idenë sa individët i kemi, ne në politikë jemi. Disa nga jashtë e disa nga brenda. Realiteti është se ne jemi aty. Edhe nuk duam të jemi më shumë, nuk duam të kemi parti politike”, tha Bajrami.

Organizatat që sigurojnë mbrojtje për pjesëtarët e komunitetit LGBT në Kosovë, thanë se institucionet publike duhet të kenë dhe zhvillojnë plane të veprimit për të promovuar respektindhe integrimin e këtij komuniteti, nisur nga garancitë që janë dhënë për një gjë të këtillë me Kushtetutën e Republikës.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG