Ndërlidhjet

logo-print

Irani: 90% e “problemeve bërthamore” janë zgjidhur


Nga negociatat për Iranin në Lozanë, 17 mars 2015.

Nga negociatat për Iranin në Lozanë, 17 mars 2015.

Kryenegociatori i Iranit për çështje bërthamore, Ali Akhbar Salehi, ka thënë se janë zgjidhur “90 për qind” e çështjeve teknike për programin bërthamor të Republikës Islamike.

Salehi i ka bërë këto komente në margjina të negociatave që po zhvillohen në Lozanë të Zvicrës.

Ai ka thënë se palët kanë dallime vetëm në çështje të mëdha, të cilat do të diskutohen në takimin sonte midis ministrit të Jashtëm të Iranit, Mohammad Javad Zarif, dhe Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry.

Ai nuk ka dhënë shpjegime se cilat çështje janë ende të pazgjidhura.

Shtëpia e Bardhë, megjithatë, ka shprehur optimizëm më të matur për marrëveshjen bërthamore.

“Në mendjen e presidentit, shanset nuk kanë lëvizur”, ka thënë zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest.

Irani dhe gjashtë fuqitë botërore – Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kina, Britania, Gjermania dhe Franca – po bëjnë përpjekje të arrijnë një marrëveshje, sipas së cilës, Irani do të frenonte aktivitetet e tij bërthamore, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.

Nëse marrëveshja kornizë arrihet deri në fund të muajit, palët do të negociojnë marrëveshjen finale deri më 30 qershor.

Fuqitë botërore druajnë se Irani po zhvillon fshehurazi armën atomike, por Teherani thotë se aktivitetet e tij bërthamore kanë plotësisht qëllime paqësore.

XS
SM
MD
LG