Ndërlidhjet

Partia e Netanyahut fiton zgjedhjet


Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu.

Partia e kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, Likud, ka arritur fitore të habitshme në zgjedhjet kombëtare.

Me gati të gjitha votat e numëruara, Likud ka siguruar 30 ulëse të parlamentit prej 120 vendesh.

Exit-pollet kanë treguar garë të ngushtë midis kësaj partie dhe Unionit Zionist, i cili ka fituar 24 vende.

Netanyahu tani do ta ketë relativisht lehtë për të formuar koalicionin qeveritar me aleatët e krahut të djathtë dhe ata fetarë. Koalicioni do t’i japë Netanyahut mandatin e katërt si kryeministër.

“Kundër të gjitha shanseve: fitore e madhe për Likudin”, ka thënë Netanyahu.

Në një fjalim para mbështetësve të ngazëllyer në Tel Aviv, ai ka thënë se tashmë ka biseduar me liderët e partive të qendrës së djathtë për të formuar qeverinë e re pa vonesa.

“Kam folur me të gjithë liderët e partive të krahut të djathtë. U kam kërkuar të më bashkohen dhe të formojmë Qeverinë e Izarelit pa vonesa. Realiteti nuk ka pushim. Qytetarët izraelitë presin nga ne që të formojmë shpejt udhëheqjen përgjegjëse, që do të punojë për ta. Kjo është ajo që do të bëjmë”, ka thënë Netanyahu.

Netanyahu mund të bëhet lideri i parë izraelit që ka shërbyer kaq gjatë. Rivali i tij kryesor, kryetari i Unionit Zionist, Isaac Herzog, ka thënë se i ka telefonuar atij, për ta përgëzuar për fitoren dhe për t’i uruar fat.

Kur rezultatet finale të publikohen, sipas të gjitha gjasave javën e ardhshme, presidenti i Izraelit, Reuven Rivlin, do t’i japë detyrën për formimin e qeverisë liderit të partisë që ai mendon se ka shansin më të fortë për të formuar koalicionin.

Për të siguruar shumicën janë të nevojshme 61 ulëse.

Lista e Përbashkët Arabe, një aleancë e partive arabe të Izraelit, ka dalë e treta me rreth 13 ulëse.

Megjithatë, kjo listë ka thënë se nuk do të marrë asnjë post në qeveri.

Analistët thonë se rezultati mund të jetë shkatërrues për procesin e paqes në Lindjen e Mesme. Në ditën e fundit të fushatës, Netanyahu është zotuar se nuk do të lejojë krjimin e shtetit palestinez.

Pas publikimit të rezultateve të zgjedhjeve kanë reaguar edhe zyrtarë të Autoritetit Palestinez.

Duket se zoti Netanyahu do të formojë qeverinë e ardhshme në Izrael dhe ne do të dëgjojmë atë që ai ka thënë dje. Ai ka thënë se nëse rizgjidhet kryeministër, nuk do të lejojë krijimin e shtetit palestinez dhe do të vazhdojë me aktivitetet e ndërtimit të vendbanimeve… Netanyahu nuk ka bërë asgjë në jetën e tij politike, por vetëm ka shkatërruar zgjidhjen me dy shtete”, ka thënë kryenegociatori palestinez në bisedimet për paqe, Saeb Erekat.

Në ditën e zgjedhjeve, Netanyahu po ashtu ka akuzuar grupet e krahut të majtë se kanë bërë përpjekje ta rrëzojnë atë nga pushteti, duke sjellë votues arabë në qendrat e votimit, një deklaratë kjo që është qortuar nga Uashingtoni.

Ne jemi gjithmonë të shqetësuar, e kam fjalën në përgjithësi, për çdo deklaratë që mund të synojë margjinalizimin e komuniteteve të caktuara”, ka thënë zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Jen Psaki.

Administrata Obama ka qenë e zemëruar me Netanyahun prejse ai i është drejtuar Kongresit të Shteteve të Bashkuara, dy javë më parë, me ftesë të ligjvënësve republikanë, për të kundërshtuar negociatat e vazhdueshme të SHBA-së me Iranin, në lidhje me programin e tij bërthamor.

Përgatit: Valona Tela
XS
SM
MD
LG