Ndërlidhjet

Zotime për shndërrim të FSK-së në FAK


FSK
FSK

Forca e Sigurisë së Kosovës është e gatshme për përgjegjësi të reja mbrojtëse duke u transformuar në Forca të Armatosura kanë deklaruar të mërkurën presidentja dhe kryeministri i Kosovës.

Këto komente, presidentja Atifete Jahjaga dhe kryeministri Isa Mustafa i kanë bërë gjatë ceremonisë së dorëzim-pranimit të komandës së FSK-së, me ç'rast komandanti i deritashëm gjenerali Kadri Kastrati i ka dorëzuar komandën e FSK-së, gjeneralit Rrahman Rama.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka deklaruar me këtë rast se Forca e Sigurisë së Kosovës i ka përmbushur objektivat dhe tani është e gatshme edhe për misione paqeruajtëse në botë, duke qenë në krah të forcave të NATO-s.

"Ju e keni kaluar edhe një hap: Keni përmbyllur me sukses një periudhë të rëndësishme të Forcës së Sigurisë, duke hapur një kapitull të ri për ju dhe për gjithë vendin: krijimin e një Force moderne të armatosur, me kapacitete mbrojtëse, që adreson sfidat e sigurisë, e kompleton infrastrukturën tonë të sigurisë dhe në proces e sipër të profesionalizimit me standarde të NATO-s dhe që synon anëtarësimin në këtë aleancë", ka deklaruar Jahjaga.

Ndërkohë, kryeministri Isa Mustafa ka potencuar një nga sfidat e radhës që e pret Forcën e Sigurisë drejt transformimit në Forca të Armatosura të Kosovës.

Ky transformim, duket të jetë një mision mjaftë i vështirë, për faktin se do të diktojë nevojën e ndryshimeve kushtetuese.

Kushtetuta e Kosovës mund të amandamentohet duke siguruar jo vetëm dy të tretat e votave të deputetëve të Kuvendit, por edhe dy të tretat e votave të deputetëve nga radhët e pakicave.

Deri më tani, deputetët nga radhët e komunitetit serb, të cilët vijnë nga subjekti me emrin Lista Serbe, kryesisht kanë shprehur një lloj mos pajtimi me krijimin e kësaj force të armatosur në Kosovë.

Por, pavarësisht sfidave, kryeministri Isa Mustafa ka thënë se qeveria do të përmbushë detyrën që ka për ta kthyer FSK-në në një forcë mbrojtëse.

"Qeveria e Republikës së Kosovës do të përmbush të gjitha detyrat që lidhen me procesin e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcë të Armatosur të Kosovës, në mënyrë që ato të jenë në nivel të standardeve të NATO-s, dhe që ky proces të zhvillohet në koordinim të ngushtë me partnerët tanë strategjik, dhe në transparencë maksimale me NATO-n", ka thënë Mustafa.

Sipas kryeministrit Mustafa, Kosova dëshiron të institucionalizoj marrëdhëniet politike me NATO-n, përmes FSK-së, përkatësisht Forcave të Armatosura të Kosovës, dhe të merr përgjegjësinë e saj edhe në misionet humanitare dhe paqeruajtëse në botë.

Forca e Sigurisë së Kosovës zhvillohet nën mbikëqyrjen e NATO-s dhe njësoj pritet të ndodhë në të ardhmen rast se ajo do të transformohet në Forca të Armatosura.

XS
SM
MD
LG