Ndërlidhjet

logo-print

Sanksionet ndaj Rusisë varen nga zbatimi i marrëveshjes së Minskut

  • RFE /RL

Zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden dhe presidenti ukrainas, Petro Poroshenko, janë pajtuar se sanksionet e ardhshme kundër Rusisë duhet të lidhen me implementimin e plotë të marrëveshjes së paqes që është arritur muajin e kaluar në Minsk.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se Biden ka folur të mërkurën në mbrëmje në telefon me Poroshenkon.

“Derisa Rusia vazhdon të nxisë dhunën dhe jo stabilitetin në Ukrainë, komuniteti ndërkombëtar duhet të përgatitet që të rrisë koston ndaj Rusisë për vazhdimin e veprimeve të tilla”, thuhet në një komunikatë të Shtëpisë së Bardhë.

Biden gjithashtu e ka mirëpritur votimin e ligjit nga parlamenti i Ukrainës që i ofron zonave të kontrolluara nga rebelët status special, vetëm pasi atje të mbahen zgjedhjet sipas ligjit zgjedhor të Ukrainës.

Rusia dhe rebelët e kanë hedhur poshtë këtë kusht.

Në Kiev, kryeministri ukrainas, Arseniy Yatsenyuk ka thënë se askush në anën ukrainase nuk ka pasur shumë optimizëm që Rusia dhe “terroristët” do të ishin të gatshëm ta përmbushin planin e Misnkut.

Poroshenko tashmë e ka nënshkruar ligjin për “statusin special” më 18 mars.

Shtëpia e Bardhë, ka thënë se presidenti Barack Obama dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel gjithashtu e kanë diskutuar situatën në Ukrainë, gjatë një bisede telefonike të bërë të mërkurën.

Të dy liderët sërish janë pajtuar se nuk do të ketë lehtësim të sanksioneve ndaj Rusisë për përkrahjen që iu jep separatistëve në Ukrainë derisa i plotëson të gjitha përkushtimet e dala nga marrëveshja e Minskut.

Gjatë një samiti që do të mbahet më 19 dhe 20 mars në Bruksel, liderët e Bashkimit Evropian pritet të vendosin nëse duan t’i shtyjnë sanksionet ndaj Rusisë deri në dhjetor, kur pritet që një provizion kyç i marrëveshjes së Minskut të futet në funksion.

Sanksionet e BE-së ndaj Moskës i kanë si cak sektorët e naftës dhe bankave të Rusisë.

Një diplomat evropian duke folur për Radion Evropa e Lirë në kushte anonimiteti ka thënë se Presidenti i Këshillit të BE-së, Donald Tusk, është duke punuar me Gjermaninë dhe Francën rreth propozimit që thotë se një vendim duhet të merret gjatë këtij muaji.

Mirëpo diplomatët dhe disa vende, përfshirë Greqinë, Austrinë dhe Sllovakinë duan të presin dhe të marrin këtë vendim në muajin qershor, kur disa prej sanksioneve iu kalon afati.

Marrëveshja e Minskut bën thirrje për rikthim të kontrollit ukrainas në kufirin me Rusinë, më saktë në rajonet e okupuara nga rebelët pro rusë, rikthim kontrolli ky që pritet të bëhet deri në fund të këtij viti nën disa kushte të veçanta.

Dhënia e “statusit special” është pjesë e një serie masash për të cilat është arritur pajtim sipas marrëveshjes së Minskut.

Marrëveshja ishte arritur nga kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Francois Hollande gjatë bisedimeve me Poroshenkon dhe presidentin rus, Vladimir Putin.

Marrëveshja gjithashtu ka arritur pajtimin për armëpushim më 15 shkurt dhe ka bërë thirrje për tërheqjen e armatimit të rëndë nga fronti i luftës, e cila deri më tash ka marrë jetën e 6 mijë personave kur nisi në prillin e vitit të kaluar.

Luftimet kanë shënuar rënie të madhe, por ato vazhdojnë në mënyrë sporadike derisa secila palë e akuzon njëra tjetrën për dhunën.

Kievi kishte shprehur shqetësimin se rebelët pro rusë po e shfrytëzojnë armëpushimin për rigrupim në përgatitje të ofensivave në të ardhmen.

Zëdhënësi i ushtrisë ukrainase, Andriy Lysenko ka thënë se një ushtarë është vrarë dhe pesë të tjerë janë plagosur gjatë një sulmi të rebelëve gjatë 24 orëve të fundit.

Përgatiti: Artan Haraqija
XS
SM
MD
LG