Ndërlidhjet

Çmimet e prodhimit në Kosovë, janë ngritur për jë mesatare prej 4.1 për qind, në katër mujorin e fundit të vitit të kaluar, në krahasim më periudhën e njëjtë të vitit 2013.

Në këto të dhëna të publikuara të mërkurën nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, thuhet se ngritje më të mëdha sipas degëve të veprimtarive ekonomike, vërehen te energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar, prodhimi i mjeteve motorike si dhe prodhimi i drurit.

Në anën tjetër, qytetarët vazhdimisht ankohen për ngritje të çmimeve të produkteve, si të atyre të prodhuara në Kosovë, po ashtu edhe të importuara.

Madje, shtrenjtimi i energjisë elektrike ndikon edhe në ngritjen e çmimeve të produkteve tjera të prodhuara në territorin e Kosovës.

Shtrenjtimi i energjisë elektrike dy herë brenda vitit të kaluar, ka rënduar buxhetin familjar të qytetarëve.

Hasan Berisha, mbi të 60-tat, që punon në sektorin privat, pohon se pagesa e faturave të shpenzuara të energjisë elektrike me një çmim shumë të lartë, po pamundëson blerjen e shumë artikujve tjerë të domosdoshëm për jetë.

“Çmimi i energjisë është jashtëzakonisht i lartë. Nuk di si po arrijmë ta paguajmë. Pjesa më e madhe e rrogës sime shpenzohet në faturat e energjisë“, thotë Berisha.

Edhe Afrim Gashi, punëtor në sektorin privat, thotë se çmimet janë të papërballueshme krahasuar me pagat mujore në sektorin privat.

“Çmimet janë katastrofë. Nuk e kuptoj si unë vetë, por edhe popullata në përgjithësi, po i mbulon shpenzimet mujore, kur merren parasysh çmimet dhe pagat në Kosovë”, thotë Gashi.

Ngritja e çmimit të prodhimeve për mbi 4 për qind, nënkupton se buxheti familjar do të ketë më pak përqindje për shpenzime të nevojshme, thonë ekspertë për çështje ekonomike. Sipas tyre, çmimet e larta, pagat e ulëta, bëjnë që të bie edhe fuqia blerëse e konsumatorëve.

Lekë Musa, ish – kryeshef ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Prishtinë, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tha se çdo reflektim i inflacionit do të ketë ndikim direkt në përkeqësimin e gjendjes sociale, pasi jo gjithmonë ngritja e inflacionit përcillet edhe me rritje të pagave.

“Njerëzit në Kosovë do të kenë 4 deri në 5 për qind më pak buxhet për të shpenzuar, pasi kemi një rritje të çmimeve të produkteve esenciale. Këto me kohë duhet të reflektohen njëjtë sepse inflacioni do të ndikojë edhe në ngritjen e Bruto Produktit Vendor”, thekson Leka.

Institucionet e Kosovës, nuk kanë kompetenca që të ndërhyjnë në masën e çmimit të ndonjë produkti, pasi oferta, kërkesa dhe tregjet e jashtme përcaktojnë çmimet e produkteve të caktuara.

Por, megjithatë autoritetet kompetente tashmë kanë paralajmëruar se do të përgjysmojnë Tatimin Mbi Vlerën e Shtuar, nga 16 sa është aktualisht në 8 për qind, për disa produkte esenciale ushqimore dhe fatura të shërbimeve publike, që nënkupton një ulje e ndjeshme e çmimeve.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG