Ndërlidhjet

logo-print

OKB: IS-i mund të ketë kryer gjenocid dhe krime kundër njerëzimit


Një grua e komunitetit Yazidi, kërkon gjurmë të të afërmve në një varrezë masive në Irak, 3 shkurt 2015

Një grua e komunitetit Yazidi, kërkon gjurmë të të afërmve në një varrezë masive në Irak, 3 shkurt 2015

Shteti Islamik ka kryer abuzime në Irak dhe mund të jetë fajtor për krime kundër njerëzimit, për gjenocid dhe krime lufte, thuhet në raportin e Zyrës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut.

Raporti që numëron një listë shokuese të abuzimeve, duke përfshirë torturë, dhunime, skllavëri seksuale, vrasje, konvertime të detyrueshme të besimit, rekrutim të detyrueshëm dhe shfrytëzim fëmijësh, i rekomandon Këshillit të Sigurimit në Kombet e Bashkuara që t'ia referojë çështjen e Irakut Gjykatës Ndërkombëtare për krime lufte.

Pas intervistimit të rreth 100 personave, dëshmitarë apo të mbijetuar nga dhuna e IS-it, raporti doli në përfundim se militantët kanë sulmuar një numër të grupeve etnike-fetare në Irak.

Në rastin e grupit Yazidi, raporti bie në përfundim se qëllimi i IS-it ka qenë shkatërrimi i këtij minoriteti. Nëse kjo vepër konfirmohet, konsiderohet si gjenocid ndaj tyre, thuhet në raport.

Deklaratat e "besueshme dhe konsistenet" kanë dëshmuar se militantët e Shtetit Islamik vazhdimisht kanë ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët, duke vrarë pastaj burrat, që të gjithë të komunitetit Yazidi.

Disa thanë se nga burrat është kërkuar të konvertohen në fenë Islame dhe në qoftë se nuk kanë pranuar, janë vrarë.

Në disa raste, fshatra të tëra janë zbrazur nga banorët Yazidi, sipas raportit.

Në një rast specifik, më 3 gusht, së paku 80 burra nga fshati Sinjar janë vrarë.

Kombet e Bashkuara thanë se hulumtime të tjera janë nevojitur për të kuptuar se sa prej tyre janë vrarë, derisa numri i viktimave thuhet se ka shkuar në disa mijëra.

Militantët e IS-it kanë shënjestruar grupe që kanë qenë të lidhura me qeverinë e Irakut. Në një incident më 12 qershor, më shumë se 1,700 kadetë janë masakruar nga ta.

Një hulumtim i qeverisë së Irakut, lidhur me këtë incident, nuk është publikuar ende.

Abuzime gjinore dhe seksuale

Misioni i Kombeve të Bashkuara, gjithashtu ka mbledhur dëshmi të dëshmitarëve që kanë treguar “gjurmë të qarta” të abuzimeve gjinore dhe seksuale ndaj grave.

Gratë dhe vajzat e pa martuara, janë inspektuar për “vlerësimin e bukurisë së tyre”, kanë treguar të mbijetuarat. Disa prej tyre u dhanë si “dhurata”, ndërsa të tjerat u janë shitur ushtarëve.

Kombet e Bashkuara, po ashtu raportuan se ka pasur dhunime të vajzave të mitura, duke përfshirë një vajzë 6 vjeçare, e cila i është shitur një militanti në Siri.

Rekrutimi i fëmijëve

Misioni i Kombeve të Bashkuara ka intervistuar fëmijët e komunitetit Yazidi që kishin ikur nga grupi i Shtetit Islamik. Fëmijët e moshës 8-15 vjeç, treguan se si u detyruan të trajnohen në ushtri, duke përfshirë edhe hedhjen e raketave.

Një djaloshit i ishte thënë se “ duhet të jesh i fortë, sepse do të bësh këtë kur të shkosh në xhihad për Shtetin Islamik, tani je pjesë e IS-it”.

Në raport thuhet se hulumtime të tjera për abuzim me fëmijë nuk janë kryer ende. Në disa zona të kontrolluara nga IS-i, fëmijët kanë marrë pjesë në kampe të trajnimeve.

"Është ende e pa qartë se sa fëmijë janë trajnuar dhe sa nga ta vazhdojnë të trajnohen”, thuhet në raport.

Në disa nga rastet e abuzimeve, përfshihet edhe hedhja e dy homoseksualëve nga një ndërtesë e lartë dhe vrasja e 13 adoleshentëve që u vranë pasi që shikuan një lojë futbolli.

Por, sipas raportit, nuk ka qenë e mundur të hulumtohet më gjerësisht mbi këto raste, për shkak të qasjes së pamundur në zonat e kontrolluara nga IS-i.

Përgatiti: Flandra Marmullaku

Trego komentet

XS
SM
MD
LG