Ndërlidhjet

logo-print

Në ditën botërore të shëndetit oral, në bazë të hulumtimeve të bëra në Kosovë, del se fëmijët nga mosha 6 deri në 14 vjeç, kanë pesë deri në gjashtë dhëmbë të prishur, kanë deklaruar stomatologët.

Ndryshe fëmijët me shumë dhëmbë të prishur, kanë më pak se 80 për qind të peshës mesatare, që duhet të kenë për moshën e tyre, derisa sipas hulumtimeve, del se në gjithë botën mbi 50 milionë orë shkollore humben në vit, për shkak të problemeve me shëndetin oral.

Drejtuesi i projektit “Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur”, Xheladin Ujkani, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se niveli i higjienës te grupmoshat e reja, nuk është i kënaqshëm.

"Realisht gjendja e shëndetit oral te grupmoshat e reja nuk është e kënaqshme, por përmes aktiviteteve të vazhdueshme po mundohemi që në një periudhë afatmesme të jepen rezultatet e para, e që më pas të krijohet një shprehi më e mirë për rëndësinë e shëndetit oral, duke përfshirë këtu tri shtyllat kryesore, ushqimi, pastrimi i dhëmbëve dhe vizita te stomatologu".

Edhe udhëheqësi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, Skender Syla, ka bërë të ditur se në bazë të vlerësimeve të bëra nga institutcionet, një përqindje e madhe e fëmijëve kanë dhëmbë të prishur.

"Organizata Botërore e Shëndetësisë përgjatë viteve , por edhe këtë vit, me rastin e shënimit të ditës botërore të shëndetit oral, ka përkrahur institucionet e vendit. Përmes mesazheve të tilla mundohemi të ndikojmë në vetëdijësimin e prindëve dhe fëmijëve që të kenë kujdesë në shëndetin oral".

Por, se sa fëmijët kujdesen për shëndetin oral, flasin vetë ata për Radion Evropa e Lirë.

"Për dhëmbët kam kujdes të veçantë. Tri herë në ditë i pastroj dhëmbët për shkak se mendoj se është higjiena më e madhe e gojës. Shkoj te stomatologu shpesh, zakonisht çdo tre muaj, por kur kam dhimbje edhe më shpesh", ka thënë Albana Ibishi, nxënëse e klasës së shtatë.

Artan Gashi 9 vjeç, thotë se kujdeset për shëndetin oral sipas mundësive.

"Mjaft kujdesem për dhëmbët, i laj çdo ditë dhe çdo natë. Shkoj edhe te stomatologu shpesh".

Edhe Drilon Aliu 12 vjeçar, thotë se i kushton kujdes higjienës së dhëmbëve.

"Unë kujdesem shumë për dhëmbët. Nuk ha ushqime me sheqer shumë. Shkoj rregullisht te mjeku".

Ndërkaq, stomatologët në vend thonë se fëmijët kryesisht e vizitojnë stomatologun vetëm atëherë kur fillojnë problemet me dhëmbët e qumështit, apo kur dalin dhëmbët e përhershëm, pra pas moshës 7 vjeçare e tutje.

“Mendoj se niveli i shëndetit oral dhe higjienës orale te fëmijët, nuk është i kënaqshëm. Konsideroj se aty përgjegjësinë e kanë prindërit, pasi që fëmijët nuk janë të vetëdijshëm për shëndetin oral. Fëmijët më së shumti vizitojnë stomatologun atëherë kur paraqiten dhëmbët e përhershëm dhe kur kanë probleme me dhëmbët e qumështit, domethënë pas moshës shtatë vjeçare e tutje”, thotë stomatologu Ardian Kastrati.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG