Ndërlidhjet

logo-print

Kërkesa e përfaqësuesve të komunitetit serb në Kosovë, “që të ndalet privatizimi i ndërmarrjeve publike dhe shoqërore në mjediset me shumicë serbe", konsiderohet absurde nga deputetët në Kuvendin e Kosovës.

Kjo kërkesë është në mesin e 10 kërkesave tjera, që u paraqitën të mërkurën nga kryetarët e 10 komunave me shumicë serbe të Kosovës, pas një takimi që u zhvillua në Graçanicë.

Kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, në Kuvendin e Kosovës, Muhamet Mustafa, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se procesi i privatizimit nuk mund të realizohet në bazë të vijave etnike, por në bazë të kritereve ekonomike dhe sociale.

“Praktikisht, nuk ka mundësi. Ata kërkojnë që privatizimi të ndërpritet në viset e banuara me shumicë serbe dhe privatizimi nuk mund të udhëhiqet në vija etnike, por privatizimi udhëhiqet në vija ekonomike dhe të ligjit”, tha Mustafa.

Përgjegjëse për administrimin e ndërmarrjeve shoqërore në territorin e Kosovës dhe aseteve të ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës që gjenden jashtë territorit të saj, është Agjencia Kosovare e Privatizimit. Ligji për këtë agjenci, nuk parasheh privatizim në baza etnike, thonë zyrtarë të kësaj agjencie.

Ylli Kaloshi, zëdhënës në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, për Radion Evropa e Lirë, thotë se AKP zbaton ligjet e miratuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ndërsa nuk i komenton deklaratat politike që dëgjohen herë pas here, deklarata këto, sipas tij, "të pabaza dhe që s’kanë të bëjnë fare me realitetin".

“Ligji i AKP-së nuk parasheh privatizim në baza etnike. AKP e zhvillon procesin e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore dhe asetet e tyre sipas Ligjit të saj në gjithë territorin e Kosovës dhe e ka të shtrirë autoritetin e vet në gjithë territorin e Kosovës".

"Përveç pesë zyrave të saja rajonale (në Prishtinë, Gjilan, Prizren, Pejë dhe Mitrovicë), ka të hapura dhe zyra funksionale satelitore edhe në vendbanime me shumicë serbe në Shtërpce, Leposaviq e Graçanicë“, ka thënë Kaloshi.

Kaloshi, ndërkaq ka treguar se Agjencia ka privatizuar dhe privatizon ndërmarrje dhe asete të tyre edhe në vendbanime me shumicë serbe, si dhe ka gjithnjë numër më të madh të ofertuesve serbë, që po marrin pjesë në procesin e privatizimit.

Në anën tjetër Muhamet Mustafa, thekson se ajo që aktualisht është me rëndësi në këtë fushë është se si të përfundojë procesi i privatizimit dhe të ndërpritet puna e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

“Ndërmarrjet publike dhe shtetërore faktikisht i kanë harxhuar të gjitha mundësitë e rritjes se punësimit. I vetmi gjenerim i punësimit në Kosovë mund të jetë sektori privat, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe ndërmarrjet e privatizuara”.

Ndryshe, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës tashmë kanë deklaruar se së shpejti pritet të dërgojnë në Kuvendin e Kosovës, ligjin i cili parasheh mbylljen e Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe përmbylljen e procesit të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore.

Më këtë ligj do të përcaktohet edhe koha kur do të përfundojë procesi i privatizimit, proces ky që ka filluar në vitin 2003 .

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG