Ndërlidhjet

Sipas llogaritjeve të fundit që ka bërë Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në Kosovë, çdo vit në sektorin e bujqësisë do të punësohen 2500 punëtorë.

Zyrtarë të kësaj ministrie, kanë treguar për Radion Evropa e Lirë, se janë 43 milion euro që gjatë këtij viti do t’i dedikohen fermerëve në Kosovë.

Shkëlzen Dragaj, këshilltar politik i ministrit të Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Qeverinë e Kosovës, Memli Krasniqi, ka bërë të ditur se nga investimet që do të bëhen në bujqësi, do të ketë rezultate të prekshme, në veçanti në zhvillimin e këtij sektori dhe në punësimin e qytetarëve.

“Në kuadër të programit që kemi hartuar për donacione, pjesa ku ka koncept zhvillimor janë hartuar edhe indikatorët se çfarë mund të dal nga këto investime që i bën Ministria e Bujqësisë".

"Llogaritet se përafërsisht 2500 punëtor të rinj, do të punësohen në vit si rezultat i këtyre investimeve. Ndërkaq, ka një llogaritje se qindra të tjerë do të punësohen edhe prej investimeve private nga kompanitë të cilat mbështeten nga Ministria e Bujqësisë”, tregon Dragaj.

Në këtë vit, do të ketë subvencione edhe për kultura të reja bujqësore. Dragaj tregon se do të subvencionohen edhe pemët si dru frutore dhe pemë manore.

Institucionet e Kosovës, vazhdimisht kishin theksuar se po punojnë në rimëkëmbjen e bujqësisë. Po ashtu, ishte ngritur edhe buxheti për bujqësinë.

Sipas të dhënave zyrtare, buxheti i Ministrisë së Bujqësisë nga 300 mijë euro sa ishte në vitin 2007, është rritur në 43 milion euro në vitin 2015.

Në programin qeverisës, i është dhënë një rëndësi e veçantë zhvillimit të bujqësisë.

Aty është theksuar se "qeveria do të zhvillojë politika për të siguruar që tokat bujqësore të përdoren për qëllime produktive. Do të krijohen stimuj që të nxitet punimi i tokave të pashfrytëzuara, sidomos atyre që janë privatizuar. Po ashtu, do të ofrohen lehtësira doganore dhe tatimore për sektorin e prodhimit primar dhe masa lehtësuese tatimore, të cilat do të ulnin edhe koston e prodhimtarisë".

Sidoqoftë, përfaqësues të bujqve thonë se angazhimet e institucioneve qeveritare janë vetëm në formë deklarative, pasi që siç thonë ata, ky sektor nuk është duke u zhvilluar.

Tahir Tahiri, kryetar i Shoqatës së Bujqve të Kosovës, për Radion Evropa e Lirë thotë se sektori i bujqësisë në Kosovë është keqmenaxhuar.

“Jam pesimist se edhe kjo ndarje e këtij buxheti edhe këto premtime të kësaj do të kenë rezultate. Këto premtime janë të njëjta sikur të qeverisë së kaluar që nuk japin shpresë se mund të kemi një sektor të zhvilluar të bujqësisë. Asgjë nuk do të ndryshohet, qasja ndaj këtij sektori është e gabuar”, vlerëson Tahiri.

Ndarja e subvencioneve për fermerët e Kosovës, sipas Tahirit është bërë në mënyrë të paplanifikuar. Ai thekson se duhet të ketë politika fiskale të mirëfillta që mbrojnë fermerët në Kosovë.

“Ka probleme kadastrale që e pengojnë ndarjen e këtyre mjeteve. Shumë bujq serioz, nuk arrijnë të marrin subvencione për shkak se nuk e kanë tokën në emër të vetin. Mungon infrastruktura rrugore , energjia e elektrike në zonat rurale, po ashtu nuk janë funksionale hidro sistemet dhe nuk po punohet që të ngriten hidro sisteme të reja, kemi uzurpime të trokave bujqësore”, shton Tahiri.

Bujqësia tradicionalisht ka qenë një nga aktivitetet kryesore ekonomike në Kosovë, por i nënvlerësuar për potencialet e saj.

Kosova, vazhdon të jetë importuese e madhe e prodhimeve bujqësore. Sipas të dhënave të Doganave të Kosovës, misri dhe gruri janë produktet ushqimore, të cilat më së shumti importohen nga shtete të ndryshme të botës.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG