Ndërlidhjet

BE nuk pritet t’ju ofrojë diçka më shumë vendeve të Partneritetit të Lindjes


Liderët e BE-së në samitin për Partneritet të Lindjes, që do të mbahet në Riga në muajin maj, nuk pritet t’ju ofrojnë marrëdhënie më të afërta vendeve të Lindjes me Bashkimin Evropian.

Oferta nuk do të shkojë përtej marrëveshjeve tashmë të negociuara për asociim, thuhet në një dokument që është parë nga Radio Evropa e Lirë.

Në këtë samit pritet të marrin pjesë liderët e vendeve të BE-së, plus liderët e Armenisë, Azerbajxhanit, Gjeorgjisë, Moldavisë dhe Ukrainës.

Kiev, Kishinau dhe Tbilisi në veçanti, kanë shpresuar që atyre do t’ju ofrohet diçka më tepër, sesa Marrëveshja për Stabilizim dhe Asociim dhe Marrëveshja për Tregti të Lirë. Këto vende i kanë nëënshkruar këto marrëveshje në Bruksel në vitin 2014.

Draft deklarata, megjithatë, vetëm thotë se “pjesëmarrësit në samit vlerësojnë se implementimi i dy marrëveshjeve të sipërpërmendura, do të jenë prioriteti kryesor i BE-së dhe partnerëve gjatë viteve në vijim”.

Sa i përket Armenisë, Azerbajxhnit dhe Bjellorusë, që nuk i kanë nënshkruar marrëveshjet e njejta me BE-në, draft deklarata flet vetëm për bashkëpunim në rritje, pa treguar se çfarë nënkupton kjo saktë.

Për Armeninë, vetëm thuhet se të dy palët “mirëpresin mirëkuptimin e përbashkët të arritur për bashkëpunim të ardhshëm në mes të BE-së dhe Armenisë”.

Për Azerbajxhanin, drafti përmend “progresin e arritur në definimin e bazës së re për marrëdhënie” në mes të Brukselit dhe Bakus.

Sa i përket Bjellorusisë, draft deklarata i mirëpret “hapat” e ndërmarrë në marrëdhëniet në mes të Brukselit dhe Minskut, “përfshirë urdhërrëfyesin e modernizuar që identifikon prioritetet në reforma dhe përkrahjen e BE-së”.

Rreth Rusisë flitet shumë brenda draft deklaratës, ndonëse emri i këtij shteti nuk përmendet drejtpërdrejtë brenda tekstit.

Një paragraf kyq në të thotë se “pjesëmarrësit në këtë samit, shprehën se Partneriteti i Lindjes ka për qëllim ndërtimin e një rajoni të përbashkët me demokraci të përbashkët, prosperitet, stabilitet dhe bashkëpunim në rritje dhe kjo nuk i drejtohet kundër askujt”.

I njejti paragraf vazhdon duke thënë se “në këtë kontekst, pjesëmarrësit e samitit shprehin gatishmërinë e tyre të ndihmojnë në tejkalimin e ndasive më të këqija politike në Evropë që prej fundit të Luftës së Ftohtë. Qytetarët tanë presin prej nesh që të parandalojmë pasoja negative, për stabilitetin e kontinentit tonë dhe ne jemi të përkushtuar për këtë”.

Draft deklarata gjithashtu shton se “ngjarjet në Ukrainë prej samitit të Partneriteti të Lindjes mbajtur në vitin 2013 në Vilnius, janë një kujtesë tragjike se parimet fundamentale të sovranitetit dhe integritetit territorial nuk mund të merren si të mirëqena në rajonin tonë”.

Është pritur që në samitin e majit, të flitet për progresin e arritur për mundësinë që qytetarët e Ukrainës dhe Gjeorgjisë të udhëtojnë pa viza në zonën e shengenit, një e drejtë që banorët e Moldavisë e kanë prej vitit 2014.

Megjithatë, draft deklarata ofron pak të dhëna rreth kësaj çështjeje.

“Pjesëmarrësit në samit presin që Ukraina dhe Gjeorgjia të përfundojnë implementimin e fazës së dytë të planit të veprimit të tyre për liberalizimin e vizave pasi të gjitha reformat e nevojshme të jenë implementuar dhe të gjitha kushtet të jenë përmbushur”, thuhet në këtë draft deklaratë të parë nga Radio Evropa e Lirë.

Sipas burimeve në BE, Ukraina nuk do e fitojë liberalizimin e vizave në samitin që do të mbahet në Riga, ndërsa mundësitë që këtë gjë ta fitojë Gjeorgjia konsiderohen 50/50.

Teksti megjithatë e përmend mundësinë e fillimit të dialogut për vizat me Armeninë, diçka që eventualisht çon deri te liberalizimi i vizave.

Në fund teksti, konkludon me një referencë misterioze rreth mundësisë së kundërshtimit të propagandës ruse duke thënë se po “shkojmë drejt një komunikimi më strategjik duke u mbështetur në vlerat e përbashkëta dhe përfitimet që bashkëpunimi i Partneriteti të Lindjes do t’i sjellë”.

Përgatiti: Artan Haraçia
XS
SM
MD
LG