Ndërlidhjet

Që nga përfundimi i luftës në Kosovë investimet kryesore nga autoritetet kompetente, janë fokusuar në ndërtimin e rrugëve publike, nacionale, rajonale dhe auto-udhëve.

Sipas të dhënave zyrtare në territorin e Republikës së Kosovës ka gjithsejtë 2003 kilometra rrugë.

Ndërtimi i infrastrukturës rrugore, për ekspertë të kësaj fushe, ka qenë i domosdoshëm, sepse gjendja e rrugëve në Kosovë ka qenë e shkatërruar, por që, sipas tyre, është dashur të klasifikohen rrugët me interes, kurse ndërtimi i tyre të realizohet me një cilësi më të lartë dhe vazhdimisht të bëhet mirëmbajtja e tyre.

Ilir Berisha, drejtor i departamentit në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, për Radion Evropa e Lirë, thotë se sipas të dhënave për vitin 2014, nga 2003 kilometra rrugë, 94 për qind janë të rrugë të asfaltuara, kurse 6 për qind rrugë të paasfaltuara.

“Në bazë të Drejtorisë së Rrugëve të Kosovës, në vitin 2014 janë evidentuar 2003 kilometra, nga to të asfaltuara janë 1883 kilometra – kurse të paasfaltuara janë 120 kilometra”, bën të ditur Berisha.

Nga kjo gjatësi, në kategorinë e rrugëve katër për qind janë auto-udhë, rrugë nacionale - 31 për qind, kurse 65 për qind janë rrugë rajonale.

Krijimi i infrastrukturës rrugore dhe infrastrukturave tjera është shumë i nevojshëm për Kosovën, por ato, edhe pse janë ndërtuar dhe asfaltuar, duhet të mirëmbahen rregullisht nga organet qendrore dhe ato lokale, thotë Murat Meha, profesor në Fakultetin e Ndërtimtarisë, njëherësh kryeshef ekzekutiv në Agjencinë Kadastrale të Kosovës.

Meha thotë se kostoja e ndërtimit të rrugëve është e lartë, kualiteti nuk është si i vendeve perëndimore, por megjithatë ai konsideron se infrastruktura rrugore është e nevojshme dhe e pandalshme, por që kërkohet mirëmbajtja e tyre.

“Pse janë rrugët e nevojshme për zhvillimin ekonomik të Kosovës? Sepse pa infrastrukturë rrugore askush nuk do të mund të vinte të bënte investime të duhura dhe njëkohësisht nevojitet që të sigurohet mundësia e komunikimit të shpejtë të lehtë dhe me shpenzime minimale”, thotë Meha.

Vendimin për ndërtimin e një rruge, sipas ligjit në fuqi, e merr Ministria e Infrastrukturës, e cila nxjerr rregullat mbi kriteret teknike për ndërtimin dhe rekonstruktimin e rrugëve publike.

Kjo ministri nxjerr planin vjetor të ndërtimit dhe të rekonstruktimit të rrugëve magjistrale dhe rajonale, ndërkaq komuna nxjerr planin vjetor të ndërtimit të rrugëve lokale.

Por, komuna informon Ministrinë për programin vjetor të ndërtimit të rrugëve lokale.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG