Ndërlidhjet

logo-print

Kuvendi i Maqedonisë - makineri votuese


Kuvendi i Maqedonisë

Kuvendi i Maqedonisë

Në kohën kur Maqedonia përballet me krizë të thellë politike, si pasojë e asaj që quhet aferë e përgjimeve, shumica parlamentare vazhdon miratimin e ligjeve me ritëm të përshpejtuar, pa debat jo vetëm brenda institucionit ligjvënës, por edhe jashtë tij, duke marrë parasysh se për miratimin e zgjidhjeve të ndryshme ligjore nevojitet edhe debati publik, apo mendimi i ekspertëve dhe shoqërisë civile.

Sipas një hulumtimi të realizuar nga Instituti për Demokraci “Societas Civilis“, gjatë dy muajve të parë të këtij viti, janë miratuar 112 ligje të ndryshme edhe atë vetëm në katër seanca plenare, ndërsa në një prej tyre janë miratuar 52 ligje.

Të gjitha këto zgjidhje ligjore në sfera të ndryshme të ekonomisë, infrastrukturës, arsimit, shëndetësisë, komunikacionit, e sfera tjera, janë miratuar pa debat dhe në mungesë të opozitës, e cila bojkoton punimet e Kuvendit, që nga zgjedhjet parlamentare të prillit të vitit të kaluar.

“Nuk ka debat, deputetët nuk janë të hapur të pranojnë argumentet e të tjerëve, madje edhe kur propozimet e tyre janë të mira. Kemi regjistruar edhe anashkalimin e opinionit më të gjerë, madje edhe të atyre që janë të interesuar të jenë pjesë e hartimit, apo përgatitjes së ligjeve”.

“Ka raste kur ndonjë grup mund të jetë ftuar për të marrë pjesë në debat, apo edhe për të dhënë mendimin e tyre, por vërejtjet e tyre asnjëherë nuk janë bërë pjesë e ligjeve, të cilat janë miratuar, ashtu siç janë propozuar nga ekzekutivi”, thotë Jane Dimeski nga Instituti për Demokraci “Societas Civilis”.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile thonë se të dhënat e tilla dëshmojnë se Kuvendi është shndërruar në makineri votuese.

Albert Musliu nga organizata joqeveritare “Iniciativa Demokratike”, thotë se veprimi i shumicës parlamentare dëshmon mungesën e përgjegjësisë pasi është e palogjikshme ligje të tëra të miratohen e opinioni të mos jetë fare i njoftuar me përmbajtjen e tyre.

“Kjo është edhe një shenjë e mungesës së përgjegjësisë së kësaj shumice parlamentare kundrejt zhvillimeve politike në vend. Kështu është vepruar edhe para nisjes së publikimit të të ashtuquajturave “bomba” të opozitës, apo rastit ‘Puçi’. Mungesa e opozitës është e meta më e madhe e Kuvendit të Maqedonisë”.

“E gjithë kjo tregon se te ne nuk ka kulturë apo etikë politike dhe Kuvendi vazhdon të jetë një makineri e votimit të ligjeve dhe asgjë më shumë. E gjithë kjo është pasojë e defekteve të mëdha në punën e Kuvendit”, konsideron Musliu, i bindur se interesat partiake dhe ato personale janë ato që kanë çuar në miratimin e kaq shumë ligjeve brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore.

“Besoj se interesat partiake, por edhe personale të jenë pjesë e shkaqeve që Kuvendi të miratoje ligje me tempo të përshpejtuar, të cilat jo rrallë herë janë me defekte dhe kontestohen para Gjykatës Kushtetuese dhe palëve tjera të interesuara. Procedura normale e miratimit të ligjeve konsiston në debatin publik, të ketë një opozitë të mirëfilltë që të mund të fitohet një ligj, i cili do të ishte i pranueshëm për të gjithë”, thekson Albert Musliu, nga organizata joqeveritare “Iniciativa Demokratike”.

Miratimi i ligjeve pa konsultime paraprake së fundit ka shkaktuar edhe protesta, në veçanti për ndryshimet në Ligjin për arsimin e lartë që detyruan qeverinë të dalë me zgjidhje të re për të zbutur shprehjen e pakënaqësisë së për disa javë paralizoi punën e Universiteteve në vend.

Tani pushteti po përballet me protesta nga nxënësit e arsimit të mesëm, të cilët gjithashtu kundërshtojnë ligjin e miratuar që forcon kriteret e provimit të maturës.

Ekspertët nuk përjashtojnë mundësinë që protesta të paraqiten edhe për ligje tjera përmbajtja e të cilëve ende nuk është e qartë.

XS
SM
MD
LG