Jemeni është në prag të luftës civile, ka paralajmëruar i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për këtë vend, Jamal Benomar.
Ai ka thënë se konflikti atje mund të zgjatet si ai në Irak, Siri apo Libi.
Benomar i ka bërë këto komente derisa Këshilli i Sigurimit i OKB-së është takuar në Nju Jork për të shprehur mbështetje për presidentin e përmbysur të Jemenit, Abdrabbuh Mansour Hadi.
Hadi ka ikur nga Sana në muajin shkurt, pasi rebelët Houthi kanë forcuar kontrollin e kryeqytetit.
Rebelët shiitë kanë marrë tani edhe kontrollin e qytetit të tretë më të madh të Jemenit, Taiz.
Në një video-lidhje nga Katari, Benomar ka bërë thirrje për “dialog paqësor”.
Pjesëmarrja e rebelëve Houthi në bisedime është vendimtare, ka thënë ai.