Ndërlidhjet

Rama: Mbajtja e Kosovës nën regjimin e vizave, turp për BE-në


Pamje nga takimi
Pamje nga takimi

Qeveria e Shqipërisë dhe e Kosovës, kanë zhvilluar të hënën mbledhjen e tyre të dytë të përbashjët, kësaj radhe në Tiranë, me moton “Një tokë, Një popull, Një ëndërr”.

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, është pritur në hyrje të Pallatit të Kongreseve në Tiranë nga kreu i Qeverisë së Shqipërisë Edi Rama.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama, ka përsëritur edhe njëherë rëndësinë e heqjes së vizave për Kosovën në zonën Schengen të Bashkimit Evropian për Kosovën dhe bashkëpunimit mes dy vendeve.

“Mos heqja e regjimit të vizave për Kosovën është paradoks i madh në raport me të shkuarën e Kosovës. Regjimi i sotëm [i vizave] e ka kthyer Kosovën në një enklavë dëshpëruese të burokracisë evropiane".

"E kemi thënë dhe do ta themi kurdo; regjimi i vizave në Kosovë është padrejtësi cinike ndaj Kosovës dhe duhet të marrë fund një orë e më parë, se nuk cenon vetëm dinjitetin e Kosovës, por edhe të vet Evropës. Mbajtja e Kosovës nën regjimin e vizave është turp për BE-në”, u shpreh kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.

Gjithashtu, ai ka theksuar se shqiptarët janë promotorë të paqes dhe uljes së tensioneve në rajon.

“Shqiptarët nuk rreshtin së propozuari e së ndërtuari ura lidhëse drejt ëndrrës evropiane… me zemërgjerësi e kurajo ne shtrijmë dorën drejtë mirëkuptimit"

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë mes të tjerash në fjalimin e tij, se prioritet mbetet bashkëpunimi me Shqipërinë.

”Për Qeverinë e Kosovës, prioritet mbetet bashkëpunimi me Shqipërinë, për projektet e përbashkëta të karakterit rajonal dhe proceseve euroatlantike".

"Bashkëpunimi ynë i jep kontribut paqes dhe stabilitetit në rajon. Në planin politik duhet të dëshmojmë se mund të ndërtojmë një shtet demokratik, me ndarjen e pushteteve sipas standardeve evropiane".

"Kosova në këtë rrafsh, po ushtron dialogun me Serbinë për të lënë të kuptohet se të gjitha çështjet mund të zgjidhen me dialog. Ne duhet të arrijmë sa më shpejtë liberalizimin e vizave. Kjo do të largonte ndjenjën e mbylljes”, ka theksuar Mustafa.

I pyetur për luftën ndaj korrupsionit, kryeministri i Kosovës është përgjigjur se "korrupsioni nuk luftohet vetëm me masa represive, por duke rritur mirëqënien e njerëzve".

Takimi i dy qeverive ka vazhduar me nënshkrimin e 11 marrëveshjeve të përbashkëta:

1. Për bashkëpunim të “ndërsjellë në fushën e sigurisë”.

2. Memorandum mbi “forcimin e bashkëpunimit në fushën e kontrollit të brendshëm”.

3. Protokoll mbi “shfrytëzimin e përbashkët të pajisjeve për kontrollin e kufirit”.

4. Protokoll “për ndjekjen e menjëhershme ndërkufitare”.

5. Memorandum i mirëkuptimit, “për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë të Financave të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave të Republikës së Kosovës”.

6. Marrëveshje e Bashkëpunimit për “organizimin e përbashkët të mësimit të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në diasporë dhe në mërgatë”.

7. Marrëveshje e “bashkëpunimit në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor”.

8. Marrëveshje për “bashkërendim Iistitucional për përparimin dhe zhvillimin profesional të mësimdhënësve në arsimin parauniversitar”.

9. Protokoll “për zbatimin e marrëveshjes kuadër, ndërmjet këshillit të ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për bashkëpunimin në nxitjen dhe lehtësimin e tregtisë”.

10. Memorandum “mbi bashkëpunimin në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural”.

11. Memorandum bashkëpunimi "ndërmjet Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, Ministrisë së Diasporës të Republikës së Kosovës.

XS
SM
MD
LG