Ndërlidhjet

Marrëveshjet e ngecura Kosovë - Shqipëri


Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe ai Shqipërisë, Edi Rama, edhe një herë kanë premtuar se do të vazhdojnë thellimin e bashkëpunimit ekonomik në mes të dy shteteve.

Në mbledhjen e përbashkët të të dy qeverive që është mbajtur në Tiranë, ata kanë thënë se tregu i Kosovës dhe Shqipërisë, nuk duhet të konsiderohet si konkurrent, por si plotësues i njëra tjetrës.

Përderisa udhëheqësit e qeverive të të dyja shteteve premtojnë bashkëpunim në të gjitha fushat, ekspertët e çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të bizneseve në Prishtinë, kanë pohuar se marrëveshjet e arritura deri më tash nuk kanë qenë të leverdishme dhe disa nga to nuk janë zbatuar.

Drejtori i Institutin për Studime të Avancuara GAP Agron Demi, thotë se është e rëndësishme që qeveritë e të dyja vendeve arrijnë marrëveshje bashkëpunimi, por barrierat edhe me tutje në aspektin e shërbimeve tregtare ekzistojnë.

“Ka shumë ngecje, të cilat kanë mbetur pa u zgjidhur për shkak të neglizhencës ose mos formimit të grupeve punuese për t’i vazhduar tutje marrëveshjet të cilat janë arritur në nivel të qeverive".

"T'i përmend disa të cilat duhet të zbatoheshin nga mbledhja e fundit e dy qeverive po nuk janë zbatuar;është marrëveshja për uljen e tarifave të romingut. Po ashtu, ende nuk ka një progres të duhur lidhur me atë se si të shfrytëzohen burimet energjetike në të dy vendet”, thekson Demi.

Mbledhja e përbashkët e dy qeverive, të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, ishte mbajtur në janar të vitit të kaluar në Prizren dhe ishte vlerësuar si mbledhje që ka vënë gurin themeltar për hapjen e një rruge të re për zhvillimin e gjithanshëm ekonomik, social dhe kulturor në këto dy shtete.

Por, Demi konsideron se të dyja qeveritë, si ajo e Kosovës, po ashtu edhe ajo Shqipërisë, duhet të krijojnë mundësi që sa më shpejt të realizohen marrëveshjet e arritura.

“Të ketë konkretisht zbatim të marrëveshjeve dhe jo vetëm shfaqje të dy qeverive, ashtu siç po i shohim, vetëm për fotografi. Ajo çka mbetet problem është se ne të dyja vendet kemi një bazë të ulët të prodhimit dhe kjo e vështirëson tregtinë për shkak se nuk kemi edhe aq çka të tregojmë. Mallin që më së shumti ne e eksportojmë në Shqipëri është metalet apo skrapi. Njësoj edhe Shqipëria në Kosovë eksporton skrap”, tha Demi.

Drejtori ekzekutiv i Odës ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ndërkaq shpreson se takimi i cili është mbajtur të hënën mes dy qeverive do të jetë më produktiv nga ai i kaluari.

“Të dyja tregjet e plotësojnë njëra - tjetrën dhe nuk i konkurrojnë njëra - tjetrës në formë direkte. Kështu që pengesat të cilat lihen nga qeveritë e të dyja vendeve në tregtinë dhe qarkullimin e lirë të mallrave realisht nuk kanë kurrfarë kuptimi”, tha Airan Zeka.

Marrëveshjet e nënshkruara vitin e kaluar mes dy qeverive kanë qenë për bashkëpunim dhe lehtësimin e tregtisë dhe marrëveshje për bashkëpunim në fushat e transportit dhe infrastrukturës.

Ndryshe, sipas të dhënave të Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë, nga viti 2005 deri në vitin 2013, shuma e përgjithshme e importeve nga Shqipëria në Kosovë ka arritur mbi 581 milionë euro, kurse eksporti nga Kosova në Shqipëri kap shumën mbi 235 milionë euro.

Vlera e investimeve direkte nga kompanitë me pronarë shqiptarë të Shqipërisë në Kosovë është 104 milionë euro.

XS
SM
MD
LG