Ndërlidhjet

Kosovë: 16 vjet nga fushata që i dha fund spastrimit etnik


24 mars, 1999

24 mars, 1999

Autoritetet e Kosovës kanë falendëruar të gjitha vendet anëtare të NATO-s për intervenimin 16 vjet më parë mbi caqet serbe, duke e cilësuar si "veprimet më humanitare në historinë e Aleancës Veri Atlantike dhe si një përcaktim i fuqishëm i botës demokratike kundër politikave agresive dhe në mbrojtje të popullsisë civile”.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, përmes një komunikate për medie ka theksuar se “Në shënimin e 16-vjetorit të sulmeve ajrore të NATO-s, kur shënohet fillimi i kthimit të shpresës për qytetarët e Kosovës për një jetë të re, shprehim mirënjohje të përhershme për SHBA-të, vendet anëtare të BE-së dhe të NATO-s, që me përkushtim u angazhuan në mbrojtjen e vlerave të qytetërimit dhe mundësuan që Kosova sot të jetë vend i qytetarëve të lirë dhe të barabartë”.

Në komunikatën e presidentes Jahjaga, gjithashtu thuhet se “Solidariteti ndërkombëtar, i dëshmuar përmes veprimit të NATO-s përpara 16 vjetësh, tregon humanizmin e botës së përparuar dhe përkushtimin e saj për respektimin e vlerave të demokracisë, duke u bërë një shpresë për paqe dhe siguri, për një jetë të qetë e të sigurt, për përparim dhe zhvillim për të gjithë popujt dhe shtetet”.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, gjatë mbledhjes të së martës të qeverisë, në emër të Qeverisë dhe popullit të Kosovës, ka shprehur falendërimet e thella për vendet anëtare të NATO-s.

"Them se 24 marsi shënon fillimin e fundit të luftës së Kosovës dhe fillimin e lirisë së vendit tonë. Gjatëmbëdhjetë vjet pas, Kosovën ne e përjetojmë si vend të lirë, vend sovran dhe vend të pavarur, dhe vend i cili synon të integrohet në Bashkimin Evropian".

"Dëshiroj që veçmas t’i falëndëroj Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tjerë të vendit tonë, për një kontribut shumë të madh për mbrojtjen e civilëve dhe në mbrojtjen e qytetarëve të Republikës së Kosovës, si dhe për përkrahjen dhe ndihmën që i dhanë lirisë dhe pavarësisë së vendit tonë", ka thënë Mustafa.

Dhe përderisa për shqiptarët e Kosovës, fillimi i intervenimit të NATO-s mbi caqet serbe më 24 mars të vitit 1999, ka kuptimin e fillimit të përfundimit të luftës në Kosovës dhe çlirimin e saj nga Serbia, për serbët një gjë e tillë paraqet agresion.

Në veri të Kosovës, përvjetori i 16 i intervenimit të NATO-s mbi caqet serbe, është shënuar përmes një shërbese përkujtimore për viktimat dhe me një parakalim protestues.

Kryetari i komunës së Mitrovicës së veriut, Goran Rakiq, pas vendosjes së luleve në monumetin e quajtur "E vërteta", në urën kryesore mbi lumin Ibër, e ka quajtur të turpshëm faktin se intevenimi ushtarak i NATO-s ishte quajtur "Engjëlli i mëshirës"...

"Dëshiroj që nga ky vend t’i porosis gjeneralët e NATO-s dhe të gjithë atyre që kanë marrë vendime, se bombat e juaja nuk kanë qenë engjuj të mëshirës dhe se këto viktima të pafajshme - engjujt tanë, nuk janë dëme anësore. Bombat e juaja kanë mbjellur vdekjen dhe të gjitha këto viktimat tona- engjëjt tanë, kanë emrat dhe mbiemrat e tyre dhe kanë pësuar nga dora e juaj e pamëshirshme“, ka theksuar Rakiq.

Por njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë, vlerësojnë se intervenimi i NATO-s në Kosovë, ka rezultuar me sjelljen e rezultateve pozitive për gjithë rajonin.

Analisti i çështjeve politike, Halil Matoshi, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se intervenimi i NATO-s ndaj forcave serbe të sigurisë dhe çlirimi i Kosovës në vitin 1999, përkatësisht krijimi i shtetit të Kosovës, e ka dëshmuar një fakt, se “rajoni i Ballkanit asnjëherë në histori nuk ka qenë më paqësor se tash, si zonë pa konflikte”.

“Deri sa për shqiptarët intervenimi i NATO-s ka qenë shpëtim, pas një shekulli vuajtjesh në robëri, për serbët është përjetuar si një agresion. Mirëpo, duket qartë se shoqëria serbe, pjesa më demokratike e saj, megjithatë, po e kupton se intervenimi i NATO-s në Kosovë i ka ndihmuar shoqërisë serbe që të çlirohet nga fashizmi. Kjo për shkak se me Milosheviqin, shoqëria serbe, praktikisht, po shkonte drejt një fashizmi koncensual”, theksoi Matoshi.

Ndryshe, 16 vjet më parë, NATO pati nusur fushatën ajrore mbi caqet e forcave të armatosura serbe, gjë që rezultoi me tërheqjen e ushtrisë dhe policisë serbe nga Kosova dhe me vendosjen e administratës së Kombeve të Bashkuara në vend.

Pas bombardimeve që zgjatën 78 ditë, u krijuan kushtet për kthimin e shpejtë të rreth 1 milion shqiptarëve të Kosovës, të cilët autoritetet serbe i kishin dëbuar me dhunë në Maqedoni dhe Shqipëri, si dhe në vendet tjera të botës.

Mbi 12 mijë persona të vrarë, rreth 2 mijë të tjerë të zhdukur, ishte bilanci i luftës në Kosovë.

Misioni paqëruajtës i NATO-s, KFOR-i, ende qëndron në Kosovë dhe ndihmon në transformimin e mëtutjeshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG