Ndërlidhjet

Vritet një polic në Prishtinë


Ilustrim

Ilustrim

Policia e Kosovës në bashkëpunim me prokurorinë, po vazhdon edhe më tej hetimet lidhur me vrasjen e pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Shemsi Gashi, 61 vjeç, i cili u gjet i vdekur mëngjesin e së mërkurës.

Në Prokurorinë e Kosovës, thonë se ende nuk ka diçka konkrete për mundësinë e arrestimit të ndonjë personi lidhur me vrasjen.

Prokurorja Fikrie Fejzullahu, tha për Radion Evropa e Lirë se hetimet dhe intervistat me disa persona po vazhdojnë.

“Hetuesit janë në pikat ku duhet të mblidhen provat. Nuk është një situatë e thjeshtë, është një situatë e ndërlikuar sepse gjendja ka shkuar jo vetëm drejtpërdrejtë ku po mendohet, kështu që konkrete nuk kemi ende asgjë”, tha Fejzullahu.

Policia e Kosovës, njoftoi mëngjesin e së mërkurës se në rrugën “Isa Kastrati” në Prishtinë, ka pasur të shtëna armësh me ç’rast është vrarë polici Shemsi Gashi.

Është bërë e ditur gjithashtu se personi i vrarë, ka punuar në Departamentin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në kuadër të Policisë së Kosovës.

Edhe në Policinë e Kosovës, thonë se janë ndërmarrë të gjitha masat për të siguruar vendin e ngjarjes dhe polica është duke punuar intensivisht për sqarimin e rrethanave dhe motivit të këtij rasti.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, tha për Radion Evropa e Lirë se deri më tash janë intervistuar disa persona dhe janë bërë edhe disa bastisje, por nuk ka të arrestuar.

“Ndërlidhur me ketë punë hetimore dhe ketë punë operative është zhvilluar edhe një operacion i bastisjes në Lagjen e Spitalit. Ky operacion i bastisjes ndërlidhet me rastin në fjalë".

"Natyrisht, policia ka filluar edhe procesin e intervistimit të të gjithë personave të cilët kanë cilësi të ndryshme, qofshin ata dëshmitarë e deri te personat që mund të cilësohen me status ndryshe”, tha Borovci.​

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Skënder Hyseni, përmes një letre në emër të ministrisë, i ka shprehur ngushëllime familjes së policit të vrarë.

Me anë të kësaj letre, ministri Hyseni ka siguruar familjarët se organet e ndjekjes do të bëjnë gjithçka që është e mundur, që kryerësit e kësaj vepre të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG