Ndërlidhjet

BE premton 1 miliard euro për infrastrukturën në Ballkanin Perëndimor


Mbahet “Western Balkans 6”
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:01:34 0:00

Mbahet “Western Balkans 6”

Bashkimi Evropian është i gatshëm të investojë deri në 1 miliard euro për projektet e përbashkëta të infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore në Ballkanin Perëndimor.

Këtë e ka konfirmuar Komisioneri i Bashkimit Evropian për Politikë të Fqinjësisë dhe Negocim të Zgjerimit, Johanes Han pas konferencës ministrore të gjashtë vendeve ballkanike të mbajtur të mërkurën në Prishtinë, ku morën pjesë ministrat e Jashtëm nga Kosova, Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia dhe Bosnja e Hercegovina.

Por, për marrjen e mjeteve të Bashkimit Evropian, vendet e rajonit u tha se duhet të zhvillojnë projekte të përbashkëta të standardeve evropiane, qofshin ato rrugore, hekurudhore dhe doganore, për të lehtësuar qarkullimin e njerëzve dhe mallrave.

Në fund të konferencës, ministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë miratuar dhe një deklaratë të përbashkët me të cilën janë pajtuar në parim për arritjen e marrëveshjeve të përbashkëta ditëve në vijim.

Komisioneri Han, tha se duhet të zhvillohet edhe një takim tjetër i përfaqësuesve të rajonit para datës 21 prill, kur në Bruksel do të mbahet takimi i ministrave, ku edhe pritet të nënshkruhet kjo marrëveshje nga e cila do të përfitojnë projektet ndërshtetërore që lidhin qytete e porte në rajon.

Fillimisht, ai ka thënë se përmes fondeve të Instrumentit të Para Aderimit të quajtur IPA, do të investohen 180 milionë euro për këto projekte, kurse në planet më afatgjate parashihet një shumë më e madhe.

"Ne jemi të gatshëm të ndajmë deri në 1 miliard euro nga 'IPA dy' deri në përfundim të këtyre projekteve", ka thënë Johanes Han.

Komisioneri i Bashkimit Evropian i ka inkurajuar vendet e Ballkanit Perëndimor që të angazhohen në projekte të infrastrukturës doganore me standarde më të larta evropiane dhe zhvillimin e projekteve nga fusha e energjisë.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili aty u paraqit edhe si nikoqir i këtij takimi, ka thënë se Kosova është bërë tashmë një faktor stabiliteti dhe bashkëpunimi në rajon.

Ai ka konfirmuar gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për vazhdimin e bisedimeve për normalizimin e plotë të marrëdhënieve edhe me Serbinë fqinje.

Vetë prania e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq në këtë konferencë në Prishtinë, sipas Thaçit, dëshmon për avancimin drejt normalizimit të marrëdhënieve midis dyja vendeve.

"Pjesëmarrja e sotme e ministrit Daçiq në konferencën në Prishtinë është mesazh apo edhe një hap përpara drejt normalizimit të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë. Në të njëjtën kohë është një hap përpara në sjelljen tonë të lidershipit rajonal të një sjellje evropiane", ka thënë Thaçi.

Në anën tjetër, ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq ka thënë se çështjet historike dhe problemet nga e kaluara, nuk do të duhej të pengonin zhvillimin e projekteve për të ardhmen, siç ishte rasti me diskutimet në konferencën e së mërkurës në Prishtinë.

"Duhet të përqendrohemi në atë që është pozitive, do të thotë, duhet t'u ikim deklaratave që na kthejnë prapa, dhe të përqendrohemi në çështjet kaq të rëndësishme për të cilat sot po bisedojmë", ka thënë Daçiq.

Kosova dhe Serbia tashmë kanë edhe një marrëveshje për autostradën Prishtinë - Nish, të arritur në Bruksel dhe të cilën Bashkimi Evropian është zotuar se do ta financojë.

Konferenca në Prishtinë pason atë të Berlinit, të organizuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, me synim nxitjen e bashkëpunimit ekonomik në mes të vendeve të rajonit.

XS
SM
MD
LG