Ndërlidhjet

Kutia e Zezë e aeroplanit Germanwings, e dëmtuar


Ministri i brendshëm i Francës, Bernard Cazeneuve, tha të mërkurën se Kutia e Zezë e gjetur në mesin e mbetjeve të aeroplanit të udhëtarëve të kompanisë Germanwings, i cili është rrëzuar në Alpet e Francës, ishte dëmtuar, por ende mund të jetë “i përdorshëm” për të mësuar shkaqet eventuale të përplasjes së aeroplanit të tipit Airbus A320, me ç’rast u vranë të 150 njerëzit në aeroplan.

Ministri Cazenuese, tha se hetuesit nuk kanë përjashtuar asnjë opsion, por theksoi se nuk ka arsye për të dyshuar për terrorizëm.

“Të gjitha teoritë duhet të shikohen për së afërmi, derisa hetimi të mos arrijë konkluzione, por një i tillë, pra sulmi terrorist, nuk ka shumë gjasë, pasi koncentrimi i mbetjeve në një sipërfaqe gati 1.5 hektarë – pa dyshim hapësirë e gjërë pasi përplasja ishte e dhunshme – do të thotë se aeroplani nuk ka eksploduar, prandaj kjo nuk është hipotezë e mundshme”, tha Bernard Cazeneuve, në radion franceze, RTL.

Ai, megjithatë, theksoi se “të gjitha teoritë duhet të shqyrtohen me kujdes, derisa t’i kemi rezultatet e hetimeve”.

Kompania Lufhansa, e cila e operon firmën ajrore të buxhetit të ulët, Germanwings, tha se po vepron me supozimin se përlasja e djeshme e aeroplanit ishte aksident.

Germnawings ka njoftuar se aeroplani e kishte filluar uljen një minutë pasi e kishte arritur latësinë e fluturimit dhe për tetë minuta e kishte humbur lartësinë.

Nuk është e qartë se përse ka ndodhur kjo.

Shefi ekzekutiv i kompanisë Lufthansa, Carsten Spohr, tha se në këtë kompani ndjehet “shoku dhe pikëllimi”.

“Është shkatërruese, në fakt, në rast se ka mundësi të shihet nga aeroplani. Është një hapësirë e largët dhe ne kemi mundur vetëm ta shohim nga helikopteri. Atje shihen pjesë të vogla të mbetjeve, që ju bën ta paramendoni energjinë, me të cilën aeroplani e ka goditur tokën. Mendoj se kjo thekson shokun dhe pikëllimin, që ne të gjithë në Lufthansa e kemi ndjerë, për atë se çka ka ndodhur”, tha Carsten Spohr në një konferencë për gazetarë në Frankfurt.

Ai kishte vlerësuar se “vrojtimi në vendin e aksidentit ishte shqetësues”.

Policia e Francës ka njoftuar se vendi i rrëzimit të aeroplanit është 2 mijë metra mbi nivelin e detit dhe askush nga udhëtarët dhe anëtarët e ekuipazhit nuk ka mbijetuar.

Sipas policisë, do të nevojiten disa ditë për t’i gjetur trupat e pajetë të viktimave për shkak të terrenit të vështirë, borës dhe stuhive.

Një hetues që e kishte vizituar vendin e përplasjes tha se “pjesët më të mëdha të trupave, që janë identifikuar, nuk janë më të mëdha se një valixhe e vogël”.

Në Spanjë, janë shpallur tre ditë zie për viktimat e aeroplanit dhe të mërkurën në mesditë janë mbajtur dy minuta heshtje.

Firma Germanwings thotë se konsideron se në aeroplan gjendeshin 67 gjermanë. Zëvendëskryeministri i Spanjës ka thënë se 45 udhëtarë ishin me mbiemra spanjollë.

Në mesin e udhëtarëve ishin edhe 16 të rinjë dhe dy mësues nga një shkollë në qytetin Haltern am See, në pjesën veriperëndimore të Gjermanisë.

Ata ktheheshin në shtëpi pasi kishin qëndruar një javë në kuadër të një programi këmbimor afër Barcelonës.

Firma Germanwings, i ka anuluar disa fluturime pas përplasjes, pasi anëtarët e ekuipazhit kanë thënë se nuk ishin në gjendje të fluturojnë.

Përplasja shkatërruese në Alpe është rrëzimi i parë i një aeroplani të madh të udhëtarëve në tokën e Francës, prej katastrofës së aeroplanit të tipit, Concorde, afër Parisit, para 15 vitesh.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG