Ndërlidhjet

Ulja e TVSH-së nuk ka përfshirë shportën e konsumit


Ndryshimet dhe plotësimet e projektligjeve të pakos së re fiskale të miratuara të martën nga Qeveria e Kosovës, mund të ndikojnë në përmirësimin e ambientit afarist në Kosovë, por që ka nevojë për përmirësime shtesë, thonë ekspertë për çështje ekonomike dhe përfaqësues të subjekteve ekonomike.

Në këto ndryshime, përfshihet ulja e normës se Tatimit Mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), për produktet bazike për jetë nga 16 sa është aktualisht, në 8 për qind, kurse është rritur akciza për duhan dhe alkool.

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), - është tatimi që paguhet për mallëra dhe shërbime. Norma e këtij tatimi në Kosovë është fikse prej 16 për qind, për të gjitha mallërat, pa marrë parasysh origjinën e tyre, si dhe zero për qind për mallërat të cilat i dedikohen eksportit.

Ndryshe, përfaqësues të komunitetit të biznesit, këto ndryshime i vlerësojnë si tentim për realizimin e ndonjë hapi konkret për qytetarët dhe bizneset, por që ende mbeten të pa qarta.

Udhëheqësi i Aleancës Kosovare të Biznesit , Agim Shahini, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thekson se duhet të zgjerohet lista e produkteve esenciale për të cilat është ulur norma e TVSH–së.

“Nëse flasim vetëm për TVSH-në, flitet se do të hiqet për teknologji prodhuese, por nuk flitet se do të largohet për lëndën e parë.Nëse hiqet TVSH-ja, a do të hiqet me automatizëm edhe Dogana për lëndë të parë dhe kjo duhet të rishikohet. Në anën tjetër, pakoja për produktet esenciale është e ngushtë në krahasim më nevojat dhe kërkesat e qytetarëve”, shprehet Shahini.

Edhe ekspertë për çështje ekonomike, konsiderojnë se përmes reformës fiskale, mjedisi biznesor bëhet më miqësor, por Qeveria e Kosovës ende ka nevojë për analiza të detajuara për këtë çështje.

Profesori në Universitetin e Prishtinës, Muhamet Sadiku, thotë se ulja e TVSH-së për produktet ushqimore elementare do të ndikojë në përmirësimin e gjendjes sociale, për një kategori të qytetarëve.

Por, paralajmërimi për ngritjen e normës së këtij tatimi për produktet tjera, sipas tij, mund të ketë ndikim negativ në mjedisin biznesor.

“Ajo që ka rëndësi, qeveria ende nuk ka dhënë përgjigje se më këto lëvizje poshtë–lartë, sa do të jetë ngarkesa fiskale në Kosovë për ekonominë respektivisht për bizneset".

"Prandaj, siç duket Qeveria e Kosovës do të ketë nevojë të bëjë analiza të duhura në mënyrë që me ndryshimet në sistemin fiskal do të vijë në shprehje rishpërndarja e dëshiruar e të ardhurave”, tha Shahini.

Edhe Agim Shahini, kërkon nga autoritet kompetente që të specifikohen ndryshimet në pakon e re fiskale.

"Duhet të specifikohet që do të duhen të hiqen të gjitha repromaterialet për prodhimtari të konsumit, dogana dhe TVSH-ja dhe kjo do të kishte qenë një hap i madh që do të bënte qeveria".

Derisa TVSH-ja për produktet elementare është ulur në 8 për qind, për produktet tjera do të rritet 18 për qind.

Sidoqoftë, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, pas miratimit të pakos së re fiskale, kanë thënë se duke marrë parasysh shkallën e lartë të papunësisë dhe faktin se shumica e popullësisë shpenzon rreth 45 për qind të të ardhurave të tyre për produkte ushqimore, atëherë reduktimi i TVSH-së në produkte bazike, vlerësohet se do ta rrisë mirëqenien e qytetarëve dhe në veçanti të atyre me të ardhura më të ulëta.

XS
SM
MD
LG