Ndërlidhjet

Gatishmëria e Bashkimit Evropian që të investojë deri në 1 miliardë euro për projektet e përbashkëta të infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore në Ballkanin Perëndimor, është mirëpritur nga zyrtarë qeveritar.

Por, realizimi i projekteve, konkretisht linjave hekurudhore ndërshtetërore që lidhin qytete e porte në rajon, nuk konsiderohet punë e lehtë.

Ministri i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, Lutfi Zharku, i cili ka marrë pjesë në konferencën ministrore të gjashtë vendeve ballkanike të mbajtur të mërkurën në Prishtinë, ka thënë se në këtë takim është biseduar për rrjetin bazë hekurudhor dhe heqjen e barrierave për funksionimin e tregut të brendshëm.

Rrjeti bazë hekurudhor për Kosovën, thotë ai, është linja hekurudhore Hani i Elezit në kufi më Maqedoninë, që lidhet më Leshakun në kufi më Serbinë.

“Për ne, rrjet bazë hekurudhore është linja aktuale Hani I Elezit - Leshak, që i lidhë kryeqendrat e mëdha ekonomike Shkup - Prishtinë - Beograd. Por, për t’u futur në rrjetin bazë, duhet të ketë mirëkuptim të të dy shteteve, që ato shtete të zotohen për të financuar sepse Evropa nuk e rregullon", thotë Zharku për Radion Evropa e Lirë.

Ai ka shtuar se "Kosova është shumë e interesuar dhe do të punojë pa ndërprerë për përfundimin e punëve që i takon sa i përket komunikacionit hekurudhor".

Por, për marrjen e mjeteve të Bashkimit Evropian, vendet e rajonit duhet të zhvillojnë projekte të përbashkëta të standardeve evropiane, qofshin ato rrugore, hekurudhore dhe doganore, për të lehtësuar qarkullimin e njerëzve dhe mallërave.

Në anën tjetër, Agron Thaqi, kryeshef ekzekutiv në kompaninë “Infrakos“, kompani kjo që merret me infrastrukturën hekurudhore, thotë se linja hekurudhore që kalon nëpër Leshak, në kuptimin teknik është funksionale.

“Me hekurudhat e Serbisë, si shtet dhe lidhje me Evropën Qendrore, e kemi linjën 10, e cila kalon në pjesën veriore të Mitrovicës nëpërmes Leshakut. Ajo linjë është funksionale në kuptimin teknik, vetëm pritet një zgjidhje politike në mënyrë që të rihapet linja", thotë Thaqi.

Hekurudhave të Kosovës u është ndaluar qasja në hekurudhat në veri të Kosovës, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. Pas kësaj periudhe është ndalur treni i cili qarkullonte në drejtim Fushë Kosovë - Leshak.

Ndryshe, Agron Thaqi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tregon se tashmë kanë përgatitur edhe disa studime fizibiliteti për zhvillimin e komunikacionit hekurudhor që lidhin Republikën e Kosovës me hekurudhat e Shqipërisë, Malit të Zi dhe më Serbinë.

Ai tha se projekt-propozimet tashmë janë dërguar në Qeverinë e Kosovës.

“Në kuadër të paketës se projekteve rrugore dhe hekurudhore, janë të përfshira disa projekte, siç është projekti i linjës hekurudhore brenda territorit të Kosovës, si një projekt madhor".

"Sigurisht që një linjë tjetër prioritare është lidhja e hekurudhës nga Podujeva që dërgon në korridorin e dhjetë të Nishit, që është e rëndësishme në aspektin e transportit dhe daljes së hekurudhës së Kosovës dhe ndërlidhjes me Evropën Qendrore", ka shtuar Thaqi.

Aktualisht, në Kosovë vija të rregullta për transport të brendshëm përmes trenave, ka në relacionin Prishtinë - Pejë, Hani i Elezit - Fushë Kosovë dhe anasjelltas.

Ndërsa, për transport ndërkombëtar, hekurudhat e Kosovës kanë një tren të rregullt, që quhet treni i shpejtë, i cili qarkullon një herë në ditë në relacionin Prishtinë - Shkup - Prishtinë.

Por, infrastruktura hekurudhore në Kosovë, nga ekspertë të kësaj fushe shumë herë është konsideruar e nivelit jo të mirë, që sipas tyre, për një modernizim të hekurudhave investimet janë të domosdoshme.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG