Ndërlidhjet

logo-print

Shkup: Përkeqësim i të drejtave dhe lirive të njeriut


Institucioni i Avokatit të Popullit në Maqedoni, ka prezantuar raportin vjetor të këtij instituconi, për të prezantuar konkludimin se në shumë segmente të shoqërisë, shënohet përkeqësim sa i përket të drejtave dhe lirive të qytetarëve.

Ixhet Memeti tha se gjatë vitit të kaluar, institucioni që ai drejton ka pranuar 400 parashtresa më shumë, krahasuar me vitin 2013.

Qytetarët e Maqedonisë edhe më tej ankohen më së shumti nga sistemi gjyqësor. Avokati i Popullit ka pranuar 901 ankesa për këtë institucion.

Ixhet Memeti, ka fokusuar edhe gjendjen e rënduar në burgjet e Maqedonisë veçanërisht atë në qytetin e Tetovës.

“Përderisa viteve të mëhershme, është konstatuar stagnim, tani me keqardhje më duhet të theksoj se Avokati i Popullit ka konstatuar përkeqësim, qoftë në aspektin e kushteve në objektet në të cilat janë të vendosur të burgosurit, qoftë në aspektin e trajtimit të tyre, si dhe aspektin e mbipopullimit".

"Ka më shumë raste që gjatë vuajtjes së dënimit me burg, të dënuarit të kategorizohen mbi baza të përkatësisë nacionale dhe duke pasur parasysh gjendjen e tyre sociale. Pra, varësisht nga përkatësia nacionale dhe statusi social, ashtu edhe trajtohesh nga organet e burgjeve të Maqedonisë, çështje seriozisht shqetësuese”, ka theksuar ai.

Ai gjithashtu e ka fokusuar si shqetësuese edhe rritjen e numrit të ankesave sa i përket diskriminimit mbi baza të përkatësisë etnike të romëve dhe shqiptarëve gjatë realizimit të së drejtës së lëvizjes së lirë.

Sipas tij, është shpeshtuar dukuria e paraqitjes së gjuhës së urrejtjes në media dhe rrjete sociale, "që në mënyrë plotësuese mund të nxisë krijimin e ndarjeve në shoqëri".

“Kohëve të fundit, në mënyrë shqetësuese përhapet gjuha e urrejtjes, në media të ndryshme dhe rrjetet sociale. Dukuri kjo që më së paku i nevojitet shoqërisë së Republikës së Maqedonisë, si shtet shumë-etnik. Andaj, apeloj në tolerancë dhe mirëkuptim”, thekson Ixhet Memeti.

Avokati i Popullit, në fund ka theksuar se institucioni që drejton ka konstatuar se rregullativa ligjore është ajo e cila shkakton probleme gjatë proceseve zgjedhore.

“Mungon koordinimi dhe bashkëpunimi i organeve për zbatimin e zgjedhjeve. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve nuk arriti që në kohë dhe në mënyrë kualitative t’i azhurnojë të dhënat e Listës së zgjedhësve”, ka bërë të ditur Memeti.

XS
SM
MD
LG