Ndërlidhjet

Nis hartimi i akteve nënligjore për viktimat e dhunës seksuale


Këshilli Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës, që udhëhiqet nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në bashkëpunim me Zyrën Ligjore në Zyrën e Kryeministrit dhe Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, ka mbajtur punëtorinë tre ditore të Grupit Punues Qeveritar për hartimin dhe finalizimin e akteve nënligjore të nevojshme për procesin e njohjes dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës.

"Punëtoria kishte për qëllim përpilimin e dokumenteve të nevojshme që do të mundësojnë aplikimin dhe identifikimin e mekanizmave referues deri në procesin e njohjes dhe verifikimit të statusit të të mbijetuarit të dhunës seksuale gjatë luftës, duke u bazuar edhe në Protokollin Ndërkombëtar për Dokumentim dhe Investigim si dhe në praktikat më të mira të marra nga rajoni", thuhet në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Presidencës.

Sipas komunikatës, në punëtori u theksua nevoja që ky proces të ofrojë një qasje sa më profesionale, lehtësuese dhe dinjitoze në mënyrë që të motivojë këtë kategori të ndjeshme të shoqërisë të jetë përfituese të pensionit personal dhe përfitimeve të parapara me ligj.

'Dokumentet dhe rekomandimet e dala nga kjo punëtori shërbejnë për finalizimin e hartimit të akteve nënligjore të domosdoshme për zbatimin e Ligjit për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Viktimave të Dhunës Seksuale të Luftës, Viktimave Civile dhe Familjarëve të tyre, me të cilin ligjërisht njihet statusi i viktimave të dhunës seksuale gjatë Luftës në Kosovë", përfundon komunikata.

XS
SM
MD
LG