Ndërlidhjet

Spitali i përgënjeshtron raportet për depresion të bashkë-pilotit Lubitz


Pamje nga operacioni i kërkimit në Alpet e Francës për mbetjet e udhëtarëve që humbën jetën nga rrëzimi i aeroplanit Germanwings
Pamje nga operacioni i kërkimit në Alpet e Francës për mbetjet e udhëtarëve që humbën jetën nga rrëzimi i aeroplanit Germanwings

Zyrtarët gjermanë dhe francezë po i vazhdojnë hetimet për zbulimin e shkaqeve eventuale, që çuan në rrëzimin tragjik të aeroplanit të firmës ajrore, Germanwings, me ç’rast u vranë të 150 njerëzit në të.

Tash, në fokus të hetimeve është shëndeti fizik dhe mendor i bashkë-pilotit, Andreas Lubitz.

Spitali në Dyseldorf, ku Lubitz ka jetuar, tha se ai kishte qenë pacient gjatë dy muajve të kaluar. Mbrëmë spitali ka njoftuar se për herë të fundit Lubitz kishte qenë në spital për “vlerësim diagnostik” më 10 mars.

Spitali ka refuzuar të japë detaje për gendjen e tij, por i ka përgënjeshtrur raportet në mediat gjermane se Lubitz ishte trajtuar në këtë spital nga depresioni.

Hetuesit mendojnë se Lubitz me qëllim e ka rrëzuar aeroplanin në malet e Alpeve, gjatë fluturimit nga Barcelona në Spanjë për në Dyseldorf të Gjermanisë.

Prokurorët francezë thanë se të dhënat nga incizimet në kabinën e pilotëve sugjerojnë se 27 vjeçari, Andreas Lubitz, e ka mbyllur derën e kabinës, dhe nuk e ka lejuar kapitetin e aeroplanit të kthehet brenda.

Nga incizimet është vërejtur se mbretëronte heshtje, derisa udhëtarët kishin filluar të klithnin, ndërsa kapiteni përpiqej të hynte në kabinë.

XS
SM
MD
LG