Ndërlidhjet

Greva e gjykatësve shtoi lëndët


Ilustrim(©Shutterstock)
Ilustrim(©Shutterstock)

Organizatat që mbrojnë të drejtat e njeriut dhe ato që monitorojnë punën e gjykatave në Kosovë, për rubrikën "Fokus" të Radios Evropa e Lirë, thonë se për 20 ditë sa ka zgjatur greva e Gjykatave Themelore të Kosovës, janë bërë shkelje të të drejtave të njeriut.

Se ka pasur shkelje të drejtave të njeriut nga mosshqyrtimi dhe procedimi i lëndëve në gjykata, e pohojnë edhe në Këshillin Gjyqësor të Kosovës.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, thotë për Radion Evropa e Lirë, se me rastin e kësaj greve janë paraqitur probleme të mëdha me një numër të konsiderueshëm të lëndëve të pazgjidhura.

"Në vazhdimësi kam thënë se të drejtat e qytetarëve janë shkelur në atë masë që më tutje po te vazhdohet është një absurd i madh ose një katastrofë që mund të ndodhë në përgjithësi për sistemin gjyqësor", shprehet Enver Peci.

Por, ndryshe mendon kryetari i Gjykatës Themelore të Prishtinës, Hamdi Ibrahimi.

Ai thotë se si pasojë e mosreflektimit të institucioneve kompetente për përmirësimin e kushteve të gjyqtarëve, ka pasur vonesa, por jo shkelje të të drejtave të palëve.

"Ka munguar reflektimi i institucioneve të vendit në lidhje me kërkesat e gjyqtarëve. Kjo është pasojë ndoshta që ka zgjatur greva kaq sa ka zgjatur. Por, të drejtat e palëve nuk mund të themi se janë shkelur".

"Aty ka vonesa, ka vonesa në çështje që ndoshta me disa vite trajtohen dhe nuk janë kryer, prandaj nuk mund të flasim se janë shkelur të drejtat e palëve. Ne edhe pse kemi qenë në grevë, i kemi trajtuar rastet si dhuna në familja dhe çështjet e paraburgimit", ka sqaruar Ibrahimi për Radion Evropa e Lirë.

Gjykatësit e Gjykatave Themelore të Kosovës, për afër tri javë kishin hyrë në grevë për rritjen e pagave të tyre.

Ata kërkonin rritje të pagave për rreth 25 për qind, ose së paku zbatimin e një marrëveshjeje për pagesën e shtesës prej 200 eurosh.

Drejtori ekzekutiv i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala, thotë se këshilli për aq kohë sa ka zgjatur greva në gjykatat e Kosovës, ka marrë ankesa nga qytetarët duke kërkuar nga ta që të mbrohen të drejtat e tyre.

"Sidomos, janë shkelur të drejtat e njeriut te personat e privuar nga liria, e këtu hyn kategoria e të paraburgosurve, sepse ata kanë pasur shumë problem t’i realizojnë vizitat. Gati për çdo vizitë është dashur të merret leje nga gjykata përkatëse, ndërkohë që gjykatat nuk kanë punuar, kështu që në një kohë të burgosurit patën paralajmëruar një grevë nëse nuk iu zgjidhet problemi", tregon Shala.

Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se me gjendjen e krijuar në Gjykatat Themelore të Kosovës, nga greva e mbajtur kanë pësuar qytetarët, të cilët kanë punë në gjykata.

Musliu konsideron, po ashtu, se politika, të cilën e kanë ndjekur gjykatësit për zgjidhjen e problemeve të tyre, nuk ka qenë e duhura.

Sipas tij, si rrjedhojë e grevës së mbajtur, tash të gjithë - si në gjykata po ashtu edhe qytetarët, do të përballen me vështirësi.

"Pasojat e grevës së gjykatësve do të jenë të përmasave shumë të mëdha dhe kryesisht do të afektohen të drejtat e qytetarëve të Republikës së Kosovës, të cilët edhe ashtu nuk kanë arritur t'i zgjidhin problemet brenda këtij gjyqësori, i cili ka pasur në vazhdimisht një funksionim të brishtë”.

“Por, ky fakt që për disa javë patëm grevë, e ka ngarkuar edhe më shumë kurrizin e qytetarëve, të cilët do të vazhdojnë sërish të sorollaten sallave të gjykimit për të kërkuar të drejtën e tyre nga ana e këtij sistemi gjyqësor", thekson Musliu.

Gjykatësit deklarojnë se në mënyrë që mos të dëmtohen edhe më tej interesat e qytetarëve dhe për t’u dhënë mundësi institucioneve përkatëse që të reflektojnë në raport me kërkesat, siç thonë ata, legjitime të gjyqtarëve, r kanë ndërprerë grevën.

Kryetari i Gjykatës Themelore të Prishtinës, Hamdi Ibrahimi, sqaron se me Ligjin për zyrtarët e lartë, që është duke u hartuar, dhe pas miratimit të tij, do të ngrihen pagat e gjyqtarëve. Ai thotë se nga shtatori presin rritjen e pagave.

Sistemi i drejtësisë në Kosovë, në vazhdimësi është kritikuar nga organizatat vendore dhe ndërkombëtare, si një nga sistemet me probleme të shumta në funksionim, përfshirë këtu edhe dukurinë e korrupsionit.

XS
SM
MD
LG