Ndërlidhjet

Kriza politike në Maqedoni po “lëkund” stabilitetin


Ilustrim

Ilustrim

Afera e përgjimeve mund ta përkeqësojë edhe më shumë gjendjen politike në vend, por edhe të nxitet ndonjë destabilizim i përmasave konfliktuoze, vlerësojnë njohësit e çështjeve politike. Komentet e tyre vijnë pas paralajmërimeve për tensione, e madje edhe konflikte, nëse kriza së shpejti nuk përfundon me ndonjë epilog mes palëve.

Debatet për këtë temë kanë nisur pas publikimit të audio-incizimeve të fundit nga ana e opozitës, e cila pretendon se “kryeministri Nikolla Gruevski dhe zyrtarë të tjerë kanë kurdisur tenderë, nga të cilët kanë përfituar miliona euro“ dhe reagimit të kryeministrit se “bisedat e tilla të publikuara janë të montuara dhe se kanë për qëllim destabilizimin e vendit”.

Zdravko Savevski, analist dhe drejtues i lëvizjes qytetare “Solidariteti“, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se akuzat për destabilizim janë tipike për regjimet totalitare, siç shprehet ai.

“Qeveria ka nisur një propagandë tipike për regjimet autoritare, të cilët një nga postulatet kryesore të propagandës kanë që të gjitha kritikat që u bëhen, t'i cilësojnë si sulme ndaj shtetit, si përpjekje që, përmes agjenturave të huaja të rrëzojnë pushtetin e zgjedhur nga populli, siç deklarojnë në vazhdimësi”.

“Çdo kritikë që i bëhet asaj, automatikisht etikohet edhe si kritikë ndaj shtetit, ndërsa të gjithë kritikuesit, pavarësisht se për kë bëhet fjalë, etiketohen si tradhtar, apo pjesëtarë të skenarëve për grusht-shtet, e kështu me radhë. Pra, qëllimi kryesor është ndjellja e frikës te qytetarët për destabilizim të mundshëm në regji të shërbimeve të huaja sekrete“, thotë Savevski.

Nga ana tjetër, Bashkim Selmani, profesor i së drejtës civile në Universitetin e Tetovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se tensionet mund të ngrihen në momentin që do të fillojnë të publikohen bisedat e përgjuara lidhur me rastet që kanë të bëjnë me raportet ndëretnike.

Vlerësoj se do të përfundojë kështu, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të përfundojnë gjurmët e krimit të deritanishëm dhe të administrimit të keq të kësaj qeverie në përgjithësi. Në këtë drejtim shkon edhe vetë mënyra e prezantimit të përgjimeve, pra, në mënyrë graduale, domethënë tensionimin e situatës hap pas hapi, tensionimin e raporteve mes maqedonasve dhe shqiptarëve”.

“Pra, kam bindjen se kjo do të përfundojë në tensionimet ndëretnike dhe mendoj se i kontribuon edhe faktori politik shqiptar. Po të ishte faktori shqiptar më i ngritur, situata do të ishte më ndryshe, por përkundrazi faktori shqiptar është në shërbim të së keqes të pushtetit aktual“, thekson Selmani.

Ndryshe, kryeministri Nikolla Gruevski, deklaratën për mundësinë e destabilizimit të vendit e bëri ditë më parë në një seancë të Kuvendit ku debati u përqendrua në aferën e përgjimeve dhe pasojat ndaj stabilitetit të vendit.

Kryeministri Gruevski tha se pas gjithë kësaj afere qëndron synimi për destabilizimin e vendit me autor shërbimet e huaja sekrete dhe ekzekutues liderin e opozitës, Zoran Zaev dhe bashkëpunëtorët e tij.

“Qëllimi i atyre që në mënyrë ilegale kanë kryer përgjimet është krejt tjetër. Qëllimi i tyre është destabilizimi i vendit, të shkaktojnë gjakderdhje, që përmes spekulimeve të krijojnë një situatë të konfrontimeve të mes vete, mes njerëzve për tema të ndryshme dhe jo rastësisht tani është zgjedhur që kjo të ndodhë. Ata me vite të tëra e kanë bërë këtë, por u është dashur një moment i caktuar që këtë ta bëjnë“, deklaroi Gruevski.

Ai tha se qeveria ka plan për përballje me situatën duke i nxjerr para drejtësisë të gjithë ata që kanë vepruar në kundërshtim me ligjin apo që kanë kryer përgjime të paligjshme të bisedave telefonike të zyrtarëve dhe i kanë montuar me qëllim diskreditimin e tyre dhe nxitjen e tensioneve.

“Me deklarata frikësuese për destabilizimin e vendit, Gruevski ka vetëm se një qëllim, të shpëtojë lëkurën e tij nga krimet që ka bërë“, është përgjigjur lideri i opozitës, Zoran Zaev, duke përjashtuar çdo mundësi për tensione apo konflikte ndëretnike apo mes vetë maqedonasve.

“Edhe sikur të dëshirojë Gruevski destabilizimin, këtë nuk do të mund ta bëjë asnjëherë, pasi si gjitha bashkësitë etnike si asnjëherë më parë janë bashkuar për qëllimin e vetëm, kthimin e lirisë dhe demokracisë në Maqedoni”.

“Nuk ekziston çmim për kthimin e demokracisë në vend, por gjithashtu nuk ekziston çmim as për stabilitetin e vendit tonë. Të gjithë duhet të jemi të kujdesshëm, qytetarët këtë e presin nga ne”, ka shtuar Zaev.

Opozita deri tani ka publikuar shumë materiale nga ajo që njihet, “aferë e përgjimeve“ duke paralajmëruar publikimin edhe të dëshmive të tjera për raste të ndryshme kriminale, si shprehet ajo.

Ndërkohë, për këtë aferë tashmë janë ngritur edhe procese gjyqësore, njëri nga opozita dhe tjetri nga pushteti, i cili akuzon opozitën për tentim grusht-shteti. Për procedimin e rasteve prokuroria ka ftuar BE-në që t’i dërgojë ekspertë të saj për të monitoruar proceset.

XS
SM
MD
LG