Ndërlidhjet

Investime milionëshe, rrugë të dobëta


Ndërtimi i rrugëve në Kosovë...

Ndërtimi i rrugëve në Kosovë...

Ndërtimi i rrugëve në Kosovë nuk është realizuar sipas cilësisë së duhur dhe kjo ka bërë që të ketë riparime të shpeshta në rrjetin rrugor, konsiderojnë ekspertë të kësaj fushe.

Selman Buqolli, profesor në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës, vlerëson se kompanitë për ndërtimin e rrugëve në Kosovë, nuk janë të specializuara sa duhet, të përfundojnë një rrugë me teknologji adekuate dhe me renditje të punës.

“Në qoftë se nuk bëhet mirë sanimi, atëherë vetëm po hidhenparatë në ‘baltë’ dhe pas dy tri vitesh prapë po duhet të riparohen. Kështu që nuk ka kontrolle të mira të mbikëqyrjes”.

“Nevojitet një përcjellje adekuate, një mbikëqyrje profesionale, me hulumtime në institute, për të arritur deri te rezultati”, thotë Buqolli për Radion Evropa e Lirë.

Edhe profesori tjetër në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës, Esat Gashi, thotë se elementi i cilësisë është shumëdimensional, kështu që në Kosovë ka rrugë të ndërtuara mirë, por ka edhe shumë të dobëta.

Në përgjithësi, Gashi thotë se cilësia e ndërtimit të rrugëve lë hapësirë për të dëshiruar.

“Problemi qëndron prej planifikimit të dobët, projektimit të dobët, ekzekutimit të dobët dhe më problematikja që është mirëmbajtja e dobët. Të gjitha këto ‘lëngojnë’ dhe ka hapësirë për përmirësim”.

“Dhe jo vetëm mirëmbajtje verore dhe dimërore, sepse autoritetet janë të përqendruara vetën në mirëmbajtjen rutinore, mirëpo mirëmbajtja është pak më e thellë dhe më komplekse se sa mirëmbajtja rutinë”, thotë Gashi, duke shtuar se në Kosovë nuk ka kuadro të mjaftueshme të specializuara për ndërtimin e rrugëve.

Edhe përfaqësues të Shoqatës së kompanive për ndërtimin e rrugëve, pranojnë se viteve të fundit, në tregun e Kosovës kanë hyrë kompani joprofesionale.

Haziz Rysha, nga kjo shoqatë në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se në Kosovë operojnë mbi 900 kompani për ndërtimin e rrugëve dhe siç thotë ai, jo të gjitha këto arrijnë të ndërtojnë rrugë cilësore.

Ai, madje, konsideron se edhe Ligji i Prokurimit mundëson funksionimin e tyre, pasi kriteret e kërkuara për realizimin e ndonjë projekti, janë shumë të ulëta.

Unë besoj se një pjesë e kompanive, të cilat kanë qenë pas luftës, janë shumë profesionale, por me kalimin e kohës janë përfshirë edhe disa kompani që më së paku e meritojnë emrin kompani për ndërtimin e rrugëve”, shprehet Rysha.

Pavarësisht cilësisë së ndërtimit të rrugëve në programin e Ministrisë së Infrastrukturës për këtë vit janë 16 projekte, që kanë të bëjnë me ndërtimin, zgjerimin dhe rehabilitimin e rrugëve, vlera e të cilave arrin në 34 milionë euro.

Në një përgjigjeje nëpërmjet postës elektronike të Ministrisë së Infrastrukturës dërguar Radios Evropa e Lirë, thuhet se vlera më e madhe e mjeteve - mbi 20 milionë euro - do të shpenzohen për rehabilitimin e rrugës magjistrale Prishtinë - Mitrovicë , pastaj 6 milionë euro për ndërtimin e rrugëve në pjesën veriore, 1. 5 milionë euro për zgjerimin e rrugës magjistrale Komoran - Drenas- Skënderaj dhe një milion euro për rrugët në komunën e Gjilanit.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG