Ndërlidhjet

Banka e re kineze shkakton kokëçarje tek amerikanët


Presidenti kinez Xi Jinping (qendër) pozon me të ftuarit e Bankës së Investimeve për Infrastrukturë (AIIB), në Sallën e Madhe të Popullit në Pekin.
Presidenti kinez Xi Jinping (qendër) pozon me të ftuarit e Bankës së Investimeve për Infrastrukturë (AIIB), në Sallën e Madhe të Popullit në Pekin.

Autor: Mark Baker

Çdo ditë duket se sjell një anëtar të ri për iniciativën e madhe kineze, themelimin e një banke zhvillimi për Azinë.

Rusia është vendi i fundit që ka njoftuar se do t’i bashkohet Bankës së Investimeve për Infrastrukturë (AIIB), të udhëhequr nga Kina dhe me bazë në Peking.

Zëvendëskryeministri rus, Igor Shuvalov, e ka dhënë lajmin të shtunën gjatë një forumi ndërkombëtar në Kinë, duke thënë se presidenti rus, Vladimir Putin, e ka marrë vetë këtë vendim që Rusia të marrë pjesë në këtë bankë.

Rusia është e fundit në listën e gjatë të vendeve, përfshirë edhe disa prej aleatëve më të afërt të SHBA-së në Evropë dhe Azi, që kanë njoftuar se duan t’i bashkohen bankës para afatit të fundit të 31 marsit.

Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Italia dhe Koreja e Jugut, gjatë ditëve të fundit, kanë thënë se e kanë në plan t’i bashkohen bankës me vlerë prej 50 miliardë dollarësh, para këto që do të përdoren për përmirësime në infrastrukturë, siç është ndërtimi i rrugëve dhe hekurudhave të reja në Azi.

Vendimi i një vendi që t’i bashkohet një banke zhvillimore normalisht nuk do të duhej të përbënte lajm, por kësaj radhe anëtarësimi shihet si refuzim i dëshirës dhe kërkesave të Uashingtonit.

Raportohet se SHBA-ja ka kaluar javë të tëra duke u munduar që larg vëmendjes së opinionit, t’i bindë miqtë nëpër botë që të refuzojnë apo të paktën ta shtyjnë anëtarësimin në bankën e udhëhequr nga kinezët.

Publikisht, SHBA-ja ka ofruar përkrahje të përzemërt për AIIB-në, nëse banka i plotëson normat ndërkombëtare të transparencës dhe përkrah standardet globale kur është fjala për ambientin dhe kushtet e punës.

Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Marie Harf, ka thënë se SHBA-ja e ka bërë “shumë të qartë” që nëse AIIB ndërmerr hapa që t’iu përmbahet këtyre standardeve ndërkombëtare, banka mund të “shtojë vlera globale” në treg.

Ne kemi qenë shumë të qartë që nëse ata ndërmarrin hapa për të ruajtur standardet e larta që komuniteti ndërkombëtar i ka ndërtuar gjatë 70 viteve të fundit, këto institucione të reja mund të shtojnë vlerën në tregun global. Pra, ne besojmë që ata duhet të aprovojnë standard të larta, përfshirë edhe kontrollim të ashpër nga bordi dhe mbrojtje të ambientit dhe mbrojtje sociale. Kjo është shumë e rëndësishme për ne”, ka thënë Marie Harf.

Sfidë ndaj Bretton Woodsit?

Mirëpo, privatisht, analistët thonë se shqetësimet e Uashingtonit mund të jenë më të thella rreth ngritjes së Kinës dhe të ardhmes në lidershipin ekonomik global.

Rajiv Biswas, ekonomisti kryesor aziatik ne kompaninë e konsultimeve të biznesit ndërkombëtar, IHS, thotë se SHBA-ja mund ta shohë bankën kineze si kërcënim të rregullit aktual ekonomik që është themeluar pas Luftës së Dytë Botërore.

Kjo i kishte dhënë SHBA-së rol udhëheqës në ekonominë globale.

Sistemi “Bretton Woods” që mbështetet në organizata si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, e kanë udhëhequr ekonominë botërore përgjatë 70 vjetëve të fundit.

"Shqetësimi i parë amerikan do të ishte që kjo bankë e re zhvillimore potencialisht do të garonte me institucionet ekzistuese, siç janë Banka Botërore, e cila është themeluar në vitin 1944 nga SHBA-ja, Evropa dhe disa vende të tjera”, thotë Biswas.

Derisa Kina merr pjesë në këto organizata, ndikimi i saj i kufizuar nuk është më proporcional me fuqinë e rritjes së saj ekonomike, ndërsa përpjekjet për të reformuar FMN-në, përmes së cilës Kinës do i jepej rol më i madh, është penguar në Kongresin amerikan.

Agjencitë e lajmeve, veçanërisht në Kinë, thonë se SHBA-ja duket “e hidhëruar” dhe “cinike” rreth kërkesës së shumë shteteve që të bëhen pjesë e bankës kineze.

Zyrtarët kinezë, nga ana e tyre, kanë qenë më diplomatik, duke thënë se i kanë marrë seriozisht shqetësimet e amerikanëve. Ministri i Financave, Lou Jiwei, e ka bërë të qartë se AIIB do ta përmbushë e jo të garojë me FMN-në apo Bankën Botërore.

Derisa momentumi po duket tërësisht në anën e bankës kineze, FMN-ja e ka dhënë përkrahjen e vet.

Drejtoresha e FMN-së, Christine Lagarde, më 22 mars, ka thënë se institucioni i saj “do ta mirëpresë” iniciativën në fjalë, ndërsa e ka hedhur poshtë mundësinë e garës ndërmjet FMN-së dhe bankës kineze.

Ne e mirëpresim këtë iniciativë, gjë që ne e shohim si tërësisht të justifikueshme dhe një atribut të mirë të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve ndërkombëtare".

"Shpresoj që FMN-ja të jetë në biznesin e projekteve të financimit të infrastrukturës, por kjo nuk është fushë e jona. Prandaj, nuk mund të ketë garë ndërmjet nesh dhe AIIB-së. Padyshim se do të ketë bashkëpunim dhe ne do të jemi shumë të kënaqur që të bashkëpunojmë me këtë institucion”, ka thënë Lagarde.

Përfitimet e Azisë Qendrore

Derisa SHBA-ja nuk duket entuziaste, banka e re mund të nxisë investimet shumë të nevojshme në Azinë Qendrore.

Biswas thotë se qëllimi i bankës është që të tërhiqen fondet investuese nga vende të pasura si Kina apo Singapori, apo edhe nga disa vende evropiane, te vendet më pak të pasura që gjenden në Azinë Qendrore dhe atë Juglindore.

"Pra, koncepti do të ishte që vendet më të zhvilluara apo më të pasura, në mesin e të cilave Kina apo Singapori apo ndonjë prej vendeve evropiane, do të vendosin kapitalin e tyre".

"Në anën tjetër, vendet në zhvillim, dhe që janë shumë prej anëtarëve të tjerë të bankës nga Azia Juglindore dhe ajo Qendrore, do të mund të merrnin kredi nga banka për projekte infrastrukturore të tyre”, thotë Biswas

Roli rus

Njoftimi i së shtunës i Rusisë se do t’i bashkohet AIIB-së, ka ndodhur pak me vonesë, por duket sikur ka qenë i pashmangshëm. Derisa Rusia dhe Kina janë partnerë strategjik, ato gjithashtu garojnë për ndikim në disa vende të rëndësishme të Azisë për qasje në burimet natyrore të tyre.

Oleg Kuzmin, ekonomisti kryesor i organizatën, “Renaissance Capital Investment” në Moskë, thotë se nuk është ende e qartë se çfarë do të sjellë anëtarësimi i Rusisë në këtë bankë.

“Reagimi rus momentalisht, siç e shoh unë, është ende i heshtur, pasi ende nuk i kemi të qarta detajet e këtij institucioni bankar. Është ende e paqartë se cilat do të jenë përfitime potenciale për Rusinë, apo cila do të jetë kostoja potenciale nëse Rusia merr pjesë në këtë projekt”, thotë Kuzmin.

Liderët rusë, padyshim e kanë menduar se do të ishte më mirë të jenë brenda se sa jashtë një institucioni që do të mund të punonte në të mirë të interesave kineze në Azinë Qendrore.

Mbetet e paqartë, megjithatë nëse Kina do të mund të përdorte bankën në fjalë për ndikim gjeopolitik në Azi. (a.haraçia)

XS
SM
MD
LG