Ndërlidhjet

logo-print

Maqedoni: Ankesa për shërbimet e administratës


Administrata në Maqedoni

Administrata në Maqedoni

Rënia në vazhdimësi e cilësisë së shërbimeve nga ana e punonjësve në administratë, ka bërë që të rritet numri i qytetarëve të cilët kërkojnë ndihmë, thotë Avokati i Popullit në Maqedoni, Ixhet Memeti.

“Në Republikën e Maqedonisë kemi një administratë të keqe, administratë të dobët, së cilës dita-ditës i bie kapaciteti profesional. Me një fjalë, kemi administratë të politizuar”, thotë Memeti.

Ai thekson se qytetarët, jo rrallë herë privohen nga realizimi i ndonjë të drejte, ngase administrata nuk është përgjigjur në kohën e caktuar.

Por, Antoneta Nikollovska, punëtore prej më se 20 vjetësh në administratë, thotë se administrata në të shumtën e rasteve bën përpjekje maksimale për të qenë në funksion të qytetarëve, por sipas saj, janë ndryshimet e shumta ligjore ato që pamundësojnë që administrata të reagojë shpejt ndaj kërkesave të qytetarëve.

“Po administrata shtetërore është profesionale, në shërbim të qytetarëve në çdo formë. Unë jam punëtore administrative tashmë 22 vjet. Problemi rreth perceptimit të keq që krijohet në opinion për administratën, sipas meje, është si rrjedhojë e asaj se në raste të caktuara nuk arrijmë t`u përgjigjemi me kohë kërkesave të qytetarëve, dhe kjo është për shkak të ndryshimeve të shumta ligjore, të cilat në disa raste e kemi të vështirë t`i ndjekim”, shpjegon Nikollovska.

Sipas saj, kjo u ndodh po thuajse të gjitha vendeve, të cilat duhet të harmonizojnë legjislacionin e vendit me atë të Bashkimit Evropian.

Por, Bedri Lutfiu nga Shkupi, i papunë, thotë se ka humbur të drejtën e shërbimit shëndetësor për veten dhe familjen e tij katër-anëtarëshe për shkak se punonjësit e administratës nuk kanë ditur saktë t`i tregojnë se cilat dokumente i mungojnë dhe ku duhet t`i sigurojë të njëjtat, edhe pse me ditë të tëra, thotë ai, ka vrapuar nga një institucion në tjetrin.

“Po ç`profesionalizëm ka administrata, ku gjithçka është katastrofë...! Dhe, jo në një rast të vetëm, por shumë herë jam përballur me probleme. Më konkretisht kisha probleme me librezën shëndetësore, për të cilën duhet të paraqitesh çdo vit, në të kundërtin të fshijnë nga regjistri. Ndërkaq, edhe pse duhet të na njoftojnë për afatet, këtë nuk e bëjnë".

"Pastaj nuk janë shërbyes, për një letër nëse mungon, jam detyruar të aplikoj edhe një herë duke mbetur me muaj pa shërbim shëndetësor, edhe për veten, po edhe për dy fëmijët dhe gruan time, askush nuk më tregonte saktë se çka më mungon dhe ku duhet t`i siguroj gjithë ato dokumente, por thjesht i ngrinin krahët”, rrëfen Bedri Lutfiu, rreth 40-vjeçar.

Ndërkaq, ekspertët konsiderojnë se problemet në administratë kanë të bëjnë me politizimin e skajshëm të këtij sektori.

Sa i përket administratës publike dhe asaj shtetërore, ajo pasivizohet nga shkaku se nuk është e përgatitur profesionalisht. Kjo ndodh, sepse gjatë pranimit në administratë përzgjedhja bëhet sipas listave partiake, duke u pranuar ata që janë vetëm me shkollim të mesëm po edhe ata që kanë arsimim të lartë vijnë nga drejtimet e tjera, pra nuk janë kompetent për punën që duhet ta kryejnë”, vlerëson Jonuz Abdullahu, prodekan në Fakultetin e Administratës Publike në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.

Abdullahu përmend edhe mosrespektimin e ngritjes profesionale sipas sistemit meritor, si dhe aftësimin dhe rishkollimin e kuadrit të angazhuar në administratë në pajtim me kërkesat nga Bashkimi Evropian.

Ndërsa, në funksion të ngritjes së cilësisë së administratës, autoritetet qeveritare të Maqedonisë kanë theksuar disa herë aplikimin e sistemit një sportelësh, si dhe elektronizimin e më shumë institucioneve të pushtetit lokal dhe atij qendror në funksion të përshpejtimit të informacioneve, të cilat duhet t`u shërbejnë qytetarëve.

XS
SM
MD
LG