Ndërlidhjet

Skepticizëm për ndërhyrjen e Brukselit në Maqedoni


Bisedimet në Bruksel mes partive kryesore politike maqedonase nuk lënë shumë hapësirë për optimizëm, thonë njohësit e çështjeve politike.

Por megjithatë, ata e vlerësojnë këtë si hap të mirë për kapërcimin eventual të krizës së thellë politike në të cilën ndodhet Maqedonia, si pasojë e asaj që njihet si “aferë e përgjimeve“.

Bisedimet mes përfaqësuesve të VMRO-DPMNE-së në pushtet dhe të Lidhjes Social-Demokrate në opozitë zhvillohen me ndërmjetësim të euro-parlamentarëve Eduard Kukan, Ivo Vajgel dhe Richard Howit, që shënon edhe përpjekjen e parë për kapërcimin e krizës edhe pse dallimet në qëndrime mes tyre janë shumë të thella.

“Për momentin qëndrimet e të dyja palëve janë shumë larg njëra tjetrës, por kuptimi i këtyre bisedimeve mendoj se është që asnjëra palë të mos ndjehet si fituese apo humbëse. E vërteta gjithmonë është diku në mes të rrugës. Besoj se si njëra ashtu edhe pala tjetër do të bëjnë përpjekje që të afrojnë qëndrimet e tyre".

"Për momentin kjo është joreale, jam pesimist se mund të ndodhë, por mbetet të shihet se si do të përfundojë ky dialog i cili është i pari i këtij formati në të cilin përfshihet Maqedonia gjatë krizave të ndryshme që ka kaluar në të kaluarën“, thotë për Radion Evropa e Lirë, Nikolla Dujoski, njohës i çështjeve politike dhe profesor në Universitetin e Shkupit.

Alajdin Demiri, njohës i çështjeve politike dhe ish-diplomat, thotë se dallimet mes palëve janë të thella. Sipas tij, “LSDM-ja kërkon qeveri teknike ndërsa VRMO-DMNE-ja e kundërshton këtë me arsyetimin se për qeverisjen e vendit nuk vendos opozita, por populli në zgjedhje".

Megjithatë ai nuk përjashton mundësinë që palët pas bisedimeve, që sipas tij, do të jetë shumë të vështira, do të arrijnë të pranojnë formimin e një qeverie kalimtare apo teknike.

Ai këtë e mbështet në, siç thekson, dëshmitë për punën kriminale të qeverisë që po zbardhet çdo ditë e më shumë.

“Duke u nisur nga fakti se gjithnjë e më tepër zbardhet, apo del në sipërfaqe jo-legjitimiteti i zgjedhjeve të fundit të cilat i fitoi VMRO-DPMNE-ja, si dhe duke u nisur nga fakti i kriminalizimit ekstrem të pushtetit dhe të keqpërdorimit të tij, si duket mund të pranohet formimi i një qeverie teknike“, thotë Demiri.

Edhe Nikolla Dujoski, thotë se procesi do të jetë i gjatë dhe shumë i vështirë, që në fund do të kërkojë përfshirjen edhe të liderëve të partive politike.

“Mirë është që ky proces ka nisur në një format më të ulët të përfaqësimit të partive politike, të cilët duhet të bëjnë përpjekje për arritjen e një gjuhe të përbashkët. Nëse kjo arrihet, besoj se në nivelin më të lartë mund të jetë edhe më lehtë".

"Ky model është më i mirë pasi lenë hapësirë për më shumë durim dhe bisedime më të gjata që të fund marrëveshja të arrihet nga liderët e partive politike“, thotë Dujoski.

Nga ana tjetër, Alajdin Demiri përqendrohet edhe në përjashtimin e partive shqiptare nga dialogu në Bruksel.

Ai për këtë fajin ia hedh, para së gjithash, partive shqiptare të cilat, sipas tij, kanë de-legjitimuar vetveten "nga frika e dëshmive që mund të publikojë opozita për krimet e tyre që mund të kenë bërë".

“Partitë shqiptare, si pozita ashtu edhe opozita në këtë proces e kanë de-legjitimuar vetveten duke menduar se udhëheqja e pushtetit dhe bërja e opozitës i takon vetëm partive maqedonase".

"Në të vërtetë partitë shqiptare këtë e bëjnë nga frika se çka do të zbulojnë 'bombat' e Zaevit dhe gjithë kjo i shtyri që të mbyllen në lëvozhgën e tyre dhe të sillen si 'sehirxhi' në një situatë të krizës së thellë në Maqedoni“, thotë Demiri.

Njohësit e çështjeve politike nuk përjashtojnë mundësinë edhe të destabilizimit të vendit, nëse kriza nuk gjen zgjidhje të shpejt.

Ndërkohë, opozita ka paralajmëruar se do të publikojë të gjitha bisedat e përgjuara të zyrtarëve të lartë, që sipas saj dëshmojnë punën e tyre kriminale gjatë qeverisjes së vendit.

XS
SM
MD
LG