Ndërlidhjet

FMN: Gjendja ekonomike nuk siguron rritje të pagave


Në Kosovë, rritja ekonomike gjatë këtij viti pritet të arrijë në tre për qind. Nuk ka mundësi buxhetor të rriten pagat e punëtorëve në sektorin publik, ashtu siç është premtuar, por megjithatë Kosova ka një qëndrueshmëri fiskale dhe sektor bankar mirë të kapitalizuar dhe profitabil.

Kështu është thënë të hënën në një konferencë për media me rastin e përfundimit të vizitës dy javore të misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, tregoi se gjatë qëndrimit të përfaqësuesve të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, kanë diskutuar për gjendjen financiare, deficitin buxhetor, qëndrueshmërinë e sektorit financiar.

Por kjo vizitë, tha ministri Hoti, nuk ka të bëjë më ndonjë marrëveshje për program të Kosovës më këtë institucion financiar.

“E kemi një situatë realisht të favorshme edhe sa i përket borxhit publik, të cilin e kemi mjaft të ulët dhe kemi hapësirë për të hyrë në marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe më organizatat tjera ndërkombëtare për të financuar nevojat tona zhvillimore”, tha Hoti.

Udhëheqësi i Misionit të FMN-së, Jacques Miniane, është pajtuar se ekziston një stabiliteti fiskal, por megjithatë ai ka thënë se qeveria e Kosovës po përballet me zotimet e vitit të kaluar, si për rritjen e pagave apo profileve sociale.

Por, të hyrat buxhetore nuk po rriten në nivel të duhur nga Administrata Tatimore dhe Dogana e Kosovës, përkundër punës së mirë që po bëjnë.

“Ne presim rritje ekonomike këtë vit, për 3 për qind. Kjo nuk është keq. Në fakt është më mirë sesa në shumë shtete tjera në rajon. Por, ne u pajtuam me qeverinë dhe Bankën Qendrore të Kosovës që duhet të shënojë rritje më të lartë sesa 3 për qind për të krijuar vende të reja pune", ka thënë Miniane.

Ai ka shtuar se “pagat në sektorin publik duhet të mbesin në këtë nivel dhe mos të ketë rritje, jo vetëm gjatë këtij viti por edhe për një periudhë".

Kurse ministri i Financave Avdullah Hoti ka thënë se janë duke punuar në Ligjin e Pagave, ligj ky që rregullon pagat dhe përfitimet për 80 mijë punonjës në sektorin publik.

“Në Ligjin e ri të pagave, do të vendosim rregull të qartë duke marrë parasysh edhe rekomandimet e FMN-së, një kornizë brenda së cilës në baza vjetore ne i rregullojmë pagat. Vendosim edhe koston e përgjithshme të pagave brenda buxhetit, por duke vendos edhe kritere për rritjen e pagave, në mënyrë që rritja e pagave të mos jetë vendim politik, por të jetë i lidhur më produktivitetin e të punësuarit dhe rritjen ekonomike që ka vendi”, ka thënë Hoti.

Në anën tjetër, Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës se Kosovës, Bedri Hamza ka thënë se sektori bankar është i qëndrueshëm dhe stabil.

“Është një konkludim i përbashkët se sektori bankar është mirë i kapitalizuar, është likuid, profitabil, kemi rritje te aseteve, depozitave dhe kredive. Ku kreditimi në vitin 2014 ka qenë më i madhi në vitet tri katër vitet e fundit”, tha Hamza.

Guvernatori Hamza ka thënë se në këtë sektor ka pasur rënie të normave të interesit për kredi, por që ende ka hapësirë për rënie .

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG